
TIRANË-Në Kuvend po diskutohet për pr.ligjin që parashikon shtyrjen e afatit të dokumenteve biometrike të skaduara për emigrantët shqiptarë. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri e quajti antillogjikë kërkesën e opozitës që të shtyhet afati i regjistrimit edhe për shqiptarët brenda Shqipërisë apo për dokumentet e skaduara të identifikimit për shtetasit brenda vendit. Sipas tij shifrat e opozitës për mungesën e dokumenteve te shqiptarët brenda vendit ishin të ekzagjëruara.
Damian Gjiknuri: Qeveria bëri aktin normativ për shtetasit jashtë vendit, ata kanë nevojë, sepse një pjesë e tyre nuk kanë pasur mundësi, kanë nevojë, kanë dokumente të shteteve të tjera. Ndaj u jepet afat, shtyhet afati i dokumentit të skaduara. Këta tani na thonë po këta brenda, të shtyhet dhe për këta. E kemi bërë herët e tjera, tani shtetasit shqiptarë brenda e dinë, një herë në 10 vjet rinovohen, nuk kushtojnë as nuk ka më radhë. Pse? Sepse në Shqipëri nuk bën dot veprime pa dokument të rregullt. Ndaj kjo që thoni nuk vlen. Mirë për shtetasit e huaj se nuk kanë mundësi. Tani le të themi, pensionistët a kanë dokument identifikimi, sigurisht që kanë se tërheqin pensionin, ata të asistencës, privatët dhe ata që punojnë në shtet. Ju thoni diskriminim, çfarë diskriminimi është ky. Patjetër që kanë dokumente ata njerëz, ku jetojnë ata, në pyje? Ai që nuk e ka mundësin, ka kohën ta marrë. Për diasporën jam dakord, se janë jashtë. Po jo këta këtu. Ju po kërkoni alibinë e radhës, ua them unë, janë shifra për konsum, krijohet alibi, merret e trajtohet, e nesër të thonë me alibi aaaa ja shkak ishte kjo. Dëgjova dhe dokrra këtu. Janë absurditete logjike. Jam bashkëpunues me ju, ju e dini, e e thashë edhe me humor, të gjithë palët përgatiten për fitore.
Nga ana tjetër Jorida Tabaku denoncoi përpjekjet e qeverisë për të përjashtuar nga procesi zgjedhor mbi 150 mijë shqiptarë të diasporës, duke i ndarë qytetarët në të "dorës së parë" dhe "dorës së dytë".
Jorida Tabaku: Frika e qeverisë nga vota e diasporës është e qartë. Ata dinë të vlerësojnë meritën, ndershmërinë dhe punën e palodhur, ndaj qeveria bën gjithçka për t’i mbajtur jashtë votimi. Askush nuk ka ikur nga Shqipëria sepse ka dashur të largohet. Kanë ikur sepse nuk shohin të ardhme në këtë vend të kapur nga korrupsioni dhe oligarkia. Ata shqiptarë që sot mbajnë lart flamurin tonë dhe punojnë me ndershmëri nuk kanë të njëjtat të drejta si klientët e qeverisë. Ata nuk kanë përfituar asnjë favor, nuk kanë marrë koncesione, nuk kanë abuzuar me taksat, por janë më shqiptarë se ata që qeverisin këtë vend prej 10 vitesh.