Politikë

Votëbesimi për Berishën, caktohet data e Kuvendit Kombëtar

Berisha ka vendosur të thërrasë Kuvendin Kombëtar në datën 2 dhjetor në orën 11:00

E.K
Votëbesimi për Berishën, caktohet data e Kuvendit Kombëtar
Sali Berisha

TIRANË- Partia Demokratike e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha ka caktuar datën 2 Dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, ku do të vetëbesohet kreu i kësaj force politike. Në statutin e PD-së së "Rithemelimit" caktohet se kryetari i partisë në rast se humb zgjedhjet lokale duhet të kalojë në votëbesimin e anëtarësisë. 

Në rendin e ditës janë edhe disa pika të tjera që lidhen me zhvillimet e brendshme në parti, por edhe për gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Kuvendi do të mbahet në Pallatin e Kongreseve. 

“Pas konsultimit me forumet, Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 9 tetor 2023, vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më datë 2 dhjetor, 2023, ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Gjatë këtij Kuvendi të Jashtëzakonshëm për fatet e PD, opozitës dhe shoqërisë, në kushtet e një qeverie që ka kapur të gjitha pushtetet, bazuar në statutin e Partisë Demokratike, do të bëhet votëbesimi i kryetarit të partisë. Në rendin e ditës janë edhe disa pika të tjera që lidhen me zhvillimet e brendshme në parti dhe gjendjen ku e ka futur Shqipërinë politika anti-shoqërore dhe anti-kombëtare e Edi Ramës”, thuhet ne njoftim.

Kreu i Partisë Demokratike do të votëbesohet pas rezultatit humbës që mori Partia Demokratike në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit. Siç e parashikon dhe statuti i partisë, nëse kryetari humbet zgjedhjet vendore ai votëbesohet në Kuvendin Kombëtar, ndërsa nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme mandati përfundon automatikisht.

“Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie. 9. Pas zgjedhjeve të përgjithëshme për pushtetin vendor, Kryetari votëbesohet me votë të fshehtë në Kuvendin Kombëtar. Kryetari quhet i votëbesuar kur kanë votuar “pro” jo më pak se 70% e antarëve që kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në statut.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, arriti të fitonte vetëm 7 nga 61 bashkitë e vendit, konkretisht: Kavajë, Pukë, Has, Himarë, Memaliaj, Mirditë, Fushë Arrëz./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB