
TIRANË- Rikthimin e vulës në duart e tij, kryedemokrati Sali Berisha duket se e ka pritur me gëzim. Nuk kaloi shumë nga marrja e vendimit, Sali Berisha reagoi në rrjetet e tij sociale. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Berisha, edhe pse pa përmendur emra bëri thirrje për bashkim mes demokratëve. Sipas tij, të gjithë ata që do të bashkohen do të marrin respektin e merituar për kontributin që kanë dhënë për Partinë Demokratike dhe do t'u respektohet mendimi ndryshe. Por në asnjë moment nuk e përmendi me emër Lulzim Bashën. Për këtë të fundit e ka thënë edhe më herët që bashkë me Enkelejd Alibeajn nuk do ta pranojë më kurrë në selinë blu, por nuk dihet nëse ka ndryshuar mendim.
POSTIMI I SALI BERISHËS:
Mesazh për anëtarët dhe mbështetësit e PDSH! Të dashur demokrate dhe demokratë, simpatizantë dhe simpatizantë të PD. Sot është dita të falënderoj dhe të përulem me respektin më të madh para çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në kuvendin e 11 Dhjetorit! Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët dhe guximtarët! Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, ne 1992 në rrëzimin e diktaturës, në 97 përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ja dolën, as të mos kapen, as te mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken! Qëndruan për Flamur! Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. Por sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike me Flamurin e saj pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rrethe Flamurit te pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonua, shpëtimin e Shqipërisë! O sot o kurrë!/ZËRI