Politikë

"Mbath atlete të bardha në samite botërore', Xhaçka flet me superlativa për Ramën: Ka rol të pazëvendësueshëm

Ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka deklaroi se kryeministri Edi Rama i ka dhënë tjetër ton diplomacisë së Shqipërisë, duke u shprehur se vendi ynë ka tjetër reputacion në rrafshin ndërkombëtar.

D.XH
"Mbath atlete të bardha në samite botërore',
Olta Xhacka ne Kongresin e PS

TIRANË – Në fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste, ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka folur me superlativa për kryeministrin Edi Rama. Ajo u shpreh se Rama ka rënë në sy me veshjen e tij ekstravagande, teksa vesh atlete të bardha në samite globale. Më tej, Xhaçka shtoi se falë punës së qeverisë, Shqipëria sot ka ndryshuar dhe se në politikën e jashtme ka ndodhur një revolucion.

“Kam pasur fatin të drejtoj Ministrinë e Jashtme, duke pasur parasysh reputacionin e Shqipërisë sot në botë. Më erdhi në mend një mik, quhet Richard Engel, është gazetar i mirënjohur, është korrespondent kryesor i lajmeve nga bota për gjigandin NBC News, që më bëri një pyetje me shumë kuriozitet. Si ka mundësi, më tha, që deri dje dëgjoja kaq shumë për një Shqipëri pa shpresë dhe sot dëgjoj çdokënd të flasë me superlativa për Shqipërinë. Çfarë bën ky kryeministri juaj që i ka magjepsur të gjithë? I thashë me shaka se mbath atlete të bardha në samite botërore dhe dallon me shtatlartësinë e tij.

Nuk besoj se e teproj nëse them se në polititikën e jashtme ka ndodhur një revolucion dhe se kryeministri ynë ka një rol të pazëvendësueshëm si ideator dhe si promotor i kësaj qasjeje të re. Shqipëria në organizmat ndërkombëtarë ka një qasje interesante, që është e ndryshme me qasjet pararendëse. Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka pësuar transformim të thellë në filozofinë e saj, ajo është më e guximshme sot, është më efektive dhe shumë më aktive në çdo nivel, për të promovuar vendin dhe për t’i sjellë atij përfitime konkrete, ku e kam fjalën për investime dhe projekte të mëdha energjitike dhe infrastrukturore me një dimension të dukshëm strategjik. Diplomacia jonë sot ka një besim që nuk e ka pasur kurrë. Shqipëria ka pasur vendin e saj në çështje të një dimensioni global. Në këto tryeza zakonisht vendet e vogla janë thjesht dëshmitare të diskutimeve të aktorëve ndërkombëtarë me peshë dhe shumë rrallë kanë një zë. Mirëpo, ne nuk kemi qenë në tryeza ndërkombëtare thjesht për numër, kemi qenë atje si partnerë të respektuar, që i vlerësohen idetë. Shqipëria ishte e para që sensibilizoi partnerët për evakuuimin e qytetarëve afganë, që iu rrezikohej jeta nga talibanët pas tërheqjes së partnerëve dhe aleatëve nga Afganistani. Shqipëria ka luajtur rol të dorës së parë për mbështetjen e Ukrainës, duke qenë iniciatore për Rezolutën që dënoi agresionin rus në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme, krijimit të grupit të miqve të Ukrainës për llogaridhënie, referimit të dosjes për krimet e luftës në Hagë, drejtimin e sesionit të KS, ku debati i kryeministrit me përfaqësuesin e përhershëm rus për ftesën drejtuar presidentit Zelenskyy do të mbahet mjend gjatë e deri tek roli për të zgjidhur problemin e emigracionit të paligjshëm”, deklaroi Xhaçka.

Partia Socialiste mban sot më 8 dhjetor Kongresin e Jashtëzakonshëm. 8 Dhjetori është gjithashtu edhe Dita e Rinisë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB