
TIRANË- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka marrë një vendim të ri sa i përket votave të diasporës nga Greqia. Sipas Celibashit, partitë garuese do të kenë nga një vëzhgues për çdo grup numërimi në Parkun Olimpik dhe nga një vëzhgues për secilin qark.
Shoqëria Civile duhet të aplikojë deri nesër në 12:00, ndërsa subjektet politike kanë afat për të aplikuar deri në mesnatën e sotme. Në dokument nënvizohet se 11 subjektet politike në garë do të kenë vetëm një vëzhgues të akredituar pranë grupeve të numërimit apo të ndarë sipas qarqeve.
Po ashtu, do të lejohen vetëm vëzhguesit e mediave me akreditim dhe ata ndërkombëtarë. Do të lejohen vëzhgues edhe nga shoqëria civile, por vetëm pasi të bëjnë aplikimin sipas procedurave.
Sipas Celibashit, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimimi brenda 3 ditëve nga shpallja e tij, sipas ligjit.
Nesër, KQZ do të organizojë një mbledhje pas kërkesës së Partisë Socialiste për të nisur numërimin e votave të Greqisë, proces ky që u bllokua me kërkesë të Partisë Demokratike. Pritet që KQZ të marrë nesër një vendim nëse do të fillojë nisja e numërimit të 53 mijë zarfeve nga Greqia./ZËRI