Politikë

Zbardhet SMS/ Salianji do të dorëzohet në 17:00, militantët mblidhen para Drejtorisë së Policisë

Militantëve të PD u është kërkuar që të marrin pjesë në një tubim para Drejtorisë së Policisë, në mbështetje të Ervin Salianjit.

F.I
Zbardhet SMS/ Salianji do të dorëzohet në 17:00, militantët
Ervin Salianji

TIRANË-Teksa Grupi Pralamentar i Partisë Demokratike i propozoi deputetit Ervin Salianji të ngujohet në seli, në kundërshtim të vendimit të Apelit për arrestimin e tij, demokrati ka vendosur të vetëdorëzohet. Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji do të paraqitet sot në orën 16:45 pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërkohë militantëve të PD u është kërkuar që të marrin pjesë në një tubim para Drejtorisë së Policisë, në mbështetje të Ervin Salianjit.

Mesazhi i grupit të PD: 

Përshëndetje, të nderuar miq, ju bëj me dije këtë lajm urgjent. Ditën e sotme, në orën 17.00 të mblidhemi para Drejtorisë së Policisë( tek Myslym Shyri) në mbrojtje të deputetit Ervin Salianji. Goditja që i bëhet Salianit është goditje që i bëhet të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Mirë u takofshim!

Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB