
KUKËS- Ditën e sotme janë duke u mbajtur zgjedhjet e pjesshme lokale për bashkinë e Kukësit.
Në garë janë dy kandidatë, Emri Vata për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ dhe Albert Halilaj për Partinë Socialiste.
Nga të dhënat zyrtare të KQZ-së, mësohet se deri në orën 14:00 për kryetarin e ri të bashkisë Kukës, kanë votuar 29.15 % e votuesve.
Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit, ka një rënie pak më shumë se 8%. Në 14 maj, deri në orën 14:00 kishin votuar 37.99 % e votuesve.

Kuksianët zgjedhin sot vetëm për kreun e bashkisë dhe jo Këshillin.
Safet Gjici, i cili arriti të fitonte zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë 2 mijë votash në raport me Admir Sinamatin, u vu në prangat e policisë në 24 Qershor, rreth një javë nga publikimi i një videoje erotike, ku ai kryente marrëdhënie seksuale brenda në ambientet e zyrës së tij.
Prej asaj kohe ai ndodhet pas hekurave nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi i kishte premtuar Alma Kaçit fitimin e një tenderi për rehabilitimin e qenve, në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të. /Zëri.ai