Politikë

"Nuk do shpikim rrotën", Zgjedhorja mbahet online, Gjiknuri dhe Alibeaj 'zihen' se kush foli më shumë

Mbledhja e sotme është mbajtur online, për shkak se në mbledhjet e fundit deputetët e Rithemelimit kanë bllokuar sallat e Kryesisë së Kuvendit

E.K
"Nuk do shpikim rrotën", Zgjedhorja mbahet online, Gjiknuri dhe
komisioni i reformes zgjedhore

TIRANË- Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore u mblodh këtë të premte online, ku u thirrën për t’u dëgjuar përfaqësues të shoqërisë civile. Në mbledhje ishin të pranishëm vetëm deputetët socialistë dhe të grupimit të Lulzim Bashës, me në krye Enkelejd Alibeajn.

Ky i fundit u shpreh se mbajtja e mbledhjes online ishte e vetmja mënyrë që përfaqësuesit e organizatave civile të mund të parashtrojnë rekomandimet e tyre për shkak se kaosi i deputetëve të Rithemelimit ka pamundësuar mbledhjet fizike.

“Iu kërkoj ndjesë për moszhvillimin e kësaj mbledhje disa ditë më parë, për arsye që tashmë dihen. Besoj kam mirëkuptimin tuaj dhe kjo është një mënyrë që do u japë mundësi të shprehni pikëpamjet tuaja mbi atë se çfarë duhet të diskutojë komisioni i Reformës Zgjedhore.  E mira do të ishte që përveç përshkrimit të asaj se çfarë mendoni, të depozitoni në formë të shkruar materialet që do të prodhoni gjatë kësaj periudhe”, tha Alibeaj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan që të vihet në vend rekomandimi i Gjykatës Kushettuese për të bërë të mundur sigurimin e votave të emigrantëve.

Një prej përfaqësueseve të shoqërisë civile, Gerta Meta, u shpreh se është urgjente që të bëhet depolitizimi i administratës zgjedhore. Ajo hodhi idenë që të zbatohet modeli zvicerian në zgjedhjen e komisionerëve, në mënyrë të rastësishme nga listat e zgjedhësve. Një mundësi tjetër sipas saj, është hartimi i një liste njerëzish, me njohuri juridike, të cilët mund të certifikohen për në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

Ndërkohë që teksa raportonin përfaqësuesit e shoqërisë civile, nuk munguan as ‘përplasjet’ mes dy bashkëkryetarëve të Komisionit, për kohën që shpenzuan secili në fjalimet e tyre.

Alibeaj: Jemi bashkëkryetarë dhe të drejtat janë të barabarta. Sapo harxhuat më tepër kohë sesa ajo që premtuat.

Gjiknuri: Një nga detyrat e bashkëkryetarit është t’i japi legjitimitet dhe organit i cili qëndron dhe unë si bashkëkryetar mendova se fola dhe në emër të të tjerëve, megjithatë edhe ky është bashkëdrejtim.

Alibeaj: Flisni në emrin tuaj sepse nuk është e hijshme që ne i thërrasim organizatat e Shoqërisë Civile dhe pastaj t’i agresojmë në një farë mënyrë, nuk do të ishte e ndershme. As unë mund të mos jem dakord me konsideratat që Gogo tha në lidhje me procesin politik, por ne duhet ta dëgjojmë.

Bashkëkryetari socialist i Komisionit, Damian Gjiknuri, u shpreh se është në dorën e aktorëve politikë nëse duan ta respektojnë ligjin zgjedhor apo ta prishin kur nuk marrin rezultatet që duan. Ndër të tjera ai tha se Kodi Zgjedhor është i rafinuar dhe i njohur nga të gjitha palët, ndërsa shtoi se, kontributi në komision duhet të jetë konkret nga të gjitha palët, duke iu drejtuar kështu organizatave të Shoqërisë Civile të cilat ishin duke raportuar gjatë kësaj të premteje.

“Komisioni i Reformës Zgjedhore ka mandat të plotë, nuk lë asnjë hapësirë për keqinterpretim, madje është formuluar në mënyrë që të preken dhe tema për të cilat palët bien dakord. Kontributi në komision duhet të jetë shumë konkret. Komisioni është gjendur në rrethana të vështira, por është një vullnet i mirë që të gjithë aktorët të kontribuojnë me produkte konkrete”, u shpreh socialisti, ndërsa shtoi se Kodi aktual është i njohur nga të gjitha palët dhe garanton mbajtjen e zgjedhjeve të barabarta.  

“Nuk do shpikim rrotën këtu dhe s’do bëjmë asgjë nga e para. Kodi Zgjedhor është i rafinuar, i njohur nga të gjitha palët, nuk ka vështirësi në zbatimin zgjedhor, ligji është i barabartë dhe garanton zgjedhje të barabartë, këtë e ka thënë dhe komisioni i OSBE. A ka disa probleme në zbatim? Po, edhe mund të ketë, kjo është një çështje e maturimit të demokracisë dhe forcimit të institucioneve, dhe organizatat kanë një rol”, theksoi Gjiknuri.

“Ajo që mbetet më e rëndësishme është vetëdija e aktorëve politikë, që ta respektojnë këtë sistem, ta respektojnë ligjin zgjedhor, apo ta prishin kur nuk ju dalin rezultatet dhe kjo është një sëmundje e vjetër, megjithatë ne e kemi të vështirë ta atribuojmë këtë në komision”, tha Gjiknuri.

PS dhe PD kanë dëgjuar për disa orë propozimet e ardhura nga shoqëria civile. Ata kërkuan lista të hapura, reformim të KQZ-së, zgjidhjen e çështjeve financiare. Shoqëria Civile po ashtu foli edhe për mundësinë që diaspora të mund të votojë në zgjedhjet e ardhshme, pasi deri tani, për këtë problem, nuk është bërë asnjë hap. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë është 1 milion e 684 mijë emigrantë më 2021. Kjo shifër është e afërt me numrin e votuesve në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kjo mbledhje ishta parashikuar të mbahej fizikisht më 6 shkurt, por u anulua për shkak të se deputetët e grupit Bardhi – Berisha “zaptuan” sallën.

Pas anulimit më 6 shkurt, u njoftua se me dakordësi të bashkëkryetarëve të Komisionit, mbledhja do të zhvillohej online më datë 9 shkurt në orën 10:00, por menjëherë pas kësaj pati një reagim nga Alibeaj i cili u shpreh se nuk ishte dakord për shtyerjen e saj në një datë tjetër, por të mbahej po atë ditë në një orar tjetër online.

Kjo është mbledhja e tretë e këtij komisioni pas dy vitesh pauzë, ndërsa të gjitha janë zhvilluar online, pasi deputetët e opozitës kërkojnë ripërbërjen e këtij Komisioni./ZËRI

Poll

MOS HUMB