TIRANË- Sara Mile, deputetja e dalë nga zgjedhjet e 11 majit si ligjvënëse e re në radhët e Partisë Socialiste, ka tërhequr vëmendje së fundmi për ndryshimin e dukshëm në pamjen e saj fizike, duke u kthyer në qendër të komenteve në rrjetet sociale. Përballë reagimeve dhe kritikave, ajo ka zgjedhur të përgjigjet publikisht me një mesazh të gjatë, ashtu siç thotë ligjvënësia "me zë e figurë për çmendurinë online".
Në reagim, Mile dënon ashpër gjuhën fyese dhe paragjykimet ndaj trupit të saj, teksa pranon ndryshimet që ka pësuar. Por, ajo shprehet se ndryshimi në peshë nuk lidhet thjesht me estetikën, por me shëndetin dhe një vendim personal për t’u kujdesur për veten.
Deputetja nuk shmang as shqetësimin, për faktin që trupi i një gruaje, në këtë trupi i saj, është kthyer në temë debati publik dhe madje sipas saj, po përdoret si “armë politike”. Por, deputetja nuk ndalet me kaq. Të gjithë këtë, ajo e lidh me një problem të thellë në shoqëri, teksa u bën thirrje vajzave dhe grave të mos ndikohen nga komentet negative, duke theksuar se kujdesi për veten është një formë dinjiteti dhe vetërespekti.
Komentet ndaj pamjes së deputetes, që në çdo dalje të saj janë bërë gati të pashmangshme, Mile i quan "çmenduri online". Në fund, ajo shpreh pritshmërinë që institucionet të marrin masa për të frenuar gjuhën e urrejtjes dhe sulmet ndaj grave në hapësirën publike.
Reagimi i plotë:
PËRGJIGJA IME ME ZË E FIGURË PËR ÇMENDURINË ONLINE TË 24 ORËVE TË FUNDIT.
Në këto 24 orë nuk pashë thjesht disa postime, pashë edhe një herë sa lehtë mund të zhveshësh një grua nga dinjiteti i saj publik, duke e kthyer trupin e saj në lajm dhe luftën e saj të heshtur në tallje. Po, unë jam në atë foto. Si isha dhe si jam. Po, dhe kam qenë shumë e lumtur për çdo kilogramë të humbur këto kohë. Kjo sepse për mua nuk ka qenë thjesht estetikë, ishte shëndet, ishte forcë, ishte një vendim për të mos e lënë veten pas. Por, sot diçka tjetër më dhemb më shumë, që një pjesë e shoqërisë tonë është ende kaq e varfër në mendje, sa mendon se pesha e një gruaje është armë politike. Disa, sidomos disa burra injorantë, gjasme edhe me peshë publike, mendojnë se mund të t'ulin duke komentuar trupin tënd. Se mund të të heshtin duke të të bërë objekt talljeje. Madje, madje, disa kujtojnë se me këtë po bëjnë edhe opozitë. Kam kuptuar se rezistenca ndaj insulinës trajtohet, unë po e bëj. Por, rezistenca ndaj njerzillëkut, kjo është pandemia jonë e vërtetë. Kur shëndoshesh thonë e ke nga pushteti, kur dobësohesh prap nga pushteti. Sepse në të vërtetë për disa njerz, problemi nuk është kurrë pesha, problemi është që je një grua që nuk kërkon falje dhe as leje për hapësirën që zë. Unë nuk kam për të kërkuar falje, as për trupin tim, as për rrugën time dhe as për forcën time. Dhe për të gjithë ata që e kuptojnë këtë gjë pa e gjykuar, po shëndeti është mbi gjithçka. Mbi politikën e ulët, mbi gjuhën e helmit, mbi një mentalitet që ende nuk e ka kuptuar se vlera e një gruaje nuk matet me kilogramë, e as me kilogramët e helmit që hidhen mbi të pa kursim. Por, sidomos për ju. Vajza dhe gra që më ndiqni çdo ditë, me apo pa kilogramë shtesë, me apo pa një problem shoqërues, mos lejoni askënd t'ju bëj të ndiheni më pak për trupin tuaj, për zërin tuaj apo për rrugën që keni zgjedhur. Mos u tkurrni që të dukeni më të pranueshme, mos heshtni që të dukeni më të mira dhe mbi të gjitha, nuk ëshë turp edhe të duash të ndihesh e bukur. Nuk është sipërfaqësi të kujdesesh për veten, është dinjitet, është vetërespekt, është dashuri për veten dhe lum kush e mëson shumë më mirë vonë se sa kurrë, trupi juaj nuk është arenë gjykimi, është historia juaj, forca juaj, jeta juaj, por, mbi të gjitha, nuk i detyrohesh askujt asnjë shpjegim për trupin tënd. Sepse trupi im nuk është dhe nuk do duhet të jetë ndonjëherë debat publik, nuk është argument politik, nuk është pronë e askujt përveç meje. Dhe, dita që në si shoqëri do ta kuptojmë këtë, është dita kur do të kemi bërë një hap real drejt fuqizimit të vajzave dhe grave. Deri atëherë paçi fat me viktimën e radhës për ta kryqëzuar në rrjet. Unë jam rezistente ndaj baltës më shumë se ndaj insulinës. Ndërkohë që punoj, edhe po pres që ligji të mund të marrë në dorë këtë çmenduri online që përdor vajzat si mish për top për të fituar një kockë klikimesh më shumë. Thua se dinjiteti dhe suksese të varen vetëm nga to. /ZËRI