
LOS ANGELES- Biznesmenia Kim Kardashian ka mbrojtur vëllezërit Menendez, të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshën për vrasjen e prindërve të tyre, duke thënë se ata nuk janë “përbindësha” dhe se duhen të lirohen nga burgu. Kardashian nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha se Lyle dhe Erik Menendez u dënuan pa të drejtë nga Prokuroria dhe u “kryqëzuan” nga mediat pa e ditur të gjithë historinë. Gjithashtu seriali më i ri i platformës “Netflix” i quajtur “Monsters”, solli shumë vëmendje në historinë e dy vëllezërve dhe rasti i tyre do të rishqyrtohet dhe pse ishte vendosur e kundërta.
“Shpresa ime është që dënimet e përjetshme të Erik dhe Lyle Menendez të rishqyrtohen. Ne u jemi të detyruar atyre djemve që humbën fëmijërinë e tyre, të cilët nuk patën kurrë një shans për t'u dëgjuar, ndihmuar apo shpëtuar”, tha Kim Kardashian.
Erik Menendez ishte 18 vjeç dhe Lyle Menendez ishte 21 vjeç kur prindërit e tyre u qëlluan për vdekje në 1989. Si fillim ata e raportuan ngjarjen dhe thanë se dikush tjetër i vrau, por rezultoi se ishin ata autorët e krimit. Vëllezërit Menendez dëshmuan se babai dhe nëna e tyre abuzonin seksualisht me ta që kur ata ishin fëmijë dhe e vetmja mënyrë për t’iu shpëtuar abuzimit të prindërve ishte t’i vrisnin ata.
Por akuza pretendoi se ata vranë prindërit në mënyrë që të përfitonin pasurinë e tyre, pasi ishin milionerë, sepse pas krimit dy vëllezërit filluan të shkonin në udhëtime dhe të shpenzonin para. Gjykata vendosi se vëllezërit Menendez ishin fajtor për vrasjen e prindërve të tyre dhe i dënoi me burgim të përjetshëm dhe pa mundësinë e rishqyrtimit të çështjes.
Por tashmë 35 vite pas dënimit të tyre, Gjykata e Los Angeles ka vendosur të rishqyrtojë çështjen dhe do të verifikohen sërish provat nëse vëllezërit Menendez do të lirohen apo do të lihet në fuqi vendimi i mëparshëm me dënim të përjetshëm. Ndërsa avokati i tyre mbrojtës tha se në fund të vitit ata do të rikthehen sërish në shtëpi. /ZËRI