Qytetërim

Luajti në Botërorin 2026, ndahet nga jeta futbollisti Afrikan Jayden Adams

Futbolli i Afrikës së Jugut është tronditur nga lajmi për vdekjen e mesfushorit, i cili u bë një nga protagonistët e kombëtares së tij në Kupën e Botës.

M.K.
Luajti në Botërorin 2026, ndahet nga jeta futbollisti Afrikan Jayden
Jayden Adams

AFRIKA E JUGUT-Është ndarë nga jeta vetëm pak javë pasi luajti në Botërorin 2026 futbollisti Jayden Adams, në moshën 25-vjeçare. Futbolli i Afrikës së Jugut është tronditur nga lajmi për vdekjen e mesfushorit, i cili u bë një nga protagonistët e kombëtares së tij në Kupën e Botës. Lajmi është raportuar nga media sportive Soccer Laduma, ndërsa përfaqësuesit dhe kujdestari i lojtarit kanë konfirmuar ngjarjen. Deri më tani, shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura.

Mentori i tij, Brendine Johnson, kërkoi respekt për privatësinë e familjes në këtë moment të vështirë.

"Në këtë moment gjithçka është ende shumë e freskët. Familja nuk dëshiron të kontaktohet. Kjo humbje na ka tronditur të gjithëve. Kisha folur me të të enjten dhe ishte shumë optimist për rikthimin pas Kupës së Botës. Askush nuk e priste këtë", u shpreh Johnson për Soccer Laduma.

Vdekja e Adams bëhet edhe më prekëse pasi gjatë Botërorit ai përjetoi një tjetër tragjedi personale. Sipas ish-kapitenit të Afrikës së Jugut, Doctor Khumalo, mesfushori mësoi për ndarjen nga jeta të gjyshes vetëm pak orë para ndeshjes së fazës së grupeve kundër Çekisë, më 18 qershor në Atlanta.

Pavarësisht dhimbjes, Adams vendosi të zbriste në fushë dhe ndihmoi kombëtaren e Afrikës së Jugut të siguronte një barazim 1-1, rezultat që mbajti gjallë shpresat për kualifikim. Më pas, skuadra arriti një fitore historike ndaj Koresë së Jugut, e mbylli Grupin A në vendin e dytë dhe siguroi për herë të parë kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.

Doctor Khumalo e vlerësoi 25-vjeçarin si një futbollist me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, i cili vazhdoi të jepte maksimumin në fushë edhe në momentet më të vështira të jetës së tij.

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga klubi i tij, Mamelodi Sundowns, apo nga Federata e Futbollit e Afrikës së Jugut, ndërsa rrethanat e vdekjes së Jayden Adams mbeten ende të paqarta./ZËRI

Poll

MOS HUMB