
BERLIN - Në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, gazetari Brian Hanrahan i BBC-së qëndroi mes njerëzve të gëzuar, duke dëshmuar një moment historik, rënien e Murit të Berlinit.
Atmosfera ishte elektrizuese. Rreth tij, berlinezët u përqafuan, qanin dhe festonin në një gjendje gati mosbesimi se muri, e cila kishte ndarë qytetin e tyre për gati tre dekada, po shembet.
Duke qëndruar në mur, ndërsa njerëzit shkatërruan pjesë të tij me çekiç dhe daltë, ajo që shikohej ishte ndjenja e euforisë, kur një komb i ndarë u ribashkua.
Vetë Muri i Berlinit ishte ndërtuar në të njëjtën mënyrë siç u rrëzua, me shpejtësi dhe pa paralajmërim. Muri u ngrit pothuajse brenda natës nga Gjermania Lindore më 13 gusht 1961.
Në atë kohë, sovjetikët pretenduan se ishte ndërtuar për të ndaluar spiunët perëndimorë që vinin në Lindje, por arsyeja e vërtetë ishte kryesisht për të parandaluar eksodin e shtetasve gjermano-lindorë që migronin në Gjermaninë Perëndimore, në kërkim të jetës më të mirë.
Fillimisht ishte një gardh me tela me gjemba, por ai u zëvendësua shpejt nga një mur i lartë betoni, i patrulluar nga roje të armatosura. Berlinezët lindorë u paralajmëruan se ata që përpiqeshin të arratiseshin në perëndim të qytetit do të llogariteshin si disidentë dhe do të pushkatoheshin.
Për 28 vjet, Muri qëndroi si një barrierë fizike dhe ideologjike, duke ndarë jo vetëm familje dhe miq, por një vend të tërë. Perëndimi i Berlinit lulëzoi ekonomikisht, i nxitur nga investimet e SHBA dhe Evropës Perëndimore, ndërsa lindja e qytetit ishte e rrënuar nga mungesat e shumta dhe e monitoruar në mënyrë represive nga policia sekrete, Stasi. Muri u bë një simbol i fuqishëm i Luftës së Ftohtë, ndarjes fizike midis Lindjes Komuniste dhe Perëndimit Kapitalist.
Por nga fundi i viteve 1980, i gjithë blloku lindor ishte nën presion. Bashkimi Sovjetik ishte zhytur në një luftë të vështirë në Afganistan dhe përballej me probleme akute ekonomike dhe mungesa të mëdha ushqimore.
Përballë kësaj situate, Mikhail Gorbachev, lideri sovjetik që mori pushtetin në 1985, kishte nisur tashmë një sërë reformash politike, glasnost (hapje) dhe perestrojkë (ristrukturim), por ngjarjet po dilnin jashtë kontrollit të tij.
Grevat në kantieret polake kishin ‘ndezur’ demonstrata masive në Hungari dhe kishte thirrje nga Estonia, Letonia dhe Lituania, në atë kohë pjesë e Bashkimit Sovjetik, për pavarësinë e tyre. Gjermania Lindore ishte ende nën kontrollin e rreptë të Partisë Socialiste të Unitetit, por presioni po rritej dhe deri më 4 nëntor 1989, gjysmë milion qytetarë ishin mbledhur në sheshin publik të Berlinit Lindor ‘Alexanderplatz’, duke bërë thirrje për ndryshim.
Pesë ditë më vonë, Gjermania Lindore, duke u përballur me presionin në rritje të publikut, u zbut në qëndrime. Ata menduan se mund të qetësonin protestat, duke liruar kontrollet kufitare, duke e bërë më të lehtë udhëtimin për berlinezët lindorë, pa e hapur plotësisht kufirin.
Një zëdhënës i qeverisë së Gjermanisë Lindore, Günter Schabouski, mbajti një konferencë shtypi të organizuar me ngut, për të njoftuar ndryshimet.
Në një moment që do të ndryshonte rrjedhën e historisë, një zëdhënës gabimisht deklaroi se gjermano-lindorët do të lejoheshin të kalonin kufirin lirisht.
Njoftimi habiti gazetarët në konferencën për shtyp, të cilët e përshëndetën fillimisht me mosbesim e më pas me ngazëllim. Lajmi u përhap me shpejtësi të madhe dhe brenda disa orësh, mijëra gjermano-lindorë filluan të dynden drejt postblloqeve përgjatë murit.
Ata u përballën me roje kufitare të hutuar, kur ende duket se nuk kishin kuptuar se cilat ishin udhëzimet në lidhje me këtë politikë të re, që po aplikohej.
Rreth orës 22:45, të tronditur nga numri i madh i njerëzve që mbërrinin dhe pa ndonjë urdhër të qartë, rojet kufitare më në fund lanë të lire kufirin dhe gjermano-lindorët të gëzuar vërshuan në Berlinin Perëndimor./Zëri.ai/