
TIRANË – Moderatorja Alketa Vejsiu, e cila ka prezantuar edicionin e 59-të të Festivalit të Këngës në RTSH, përmes postimesh në Instastory ka kritikuar ashpër drejtorin aktual të Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza.
Vetë moderatorja kishte kërkuar nga ndjekësit që të bëjnë pyetje dhe një prej tyre ishte: “A do e bëje sërish “Festivalin” e RTSH-së? Pas festivalit tënd, nuk ka pasur më festival të bukur”.
Ndërsa, përgjigja e moderators ishte: Po, shumë faleminderit. Do e bëja me shumë dëshirë atë festival të lulëzonte si në vitin 2022. Por, unë i zgjedh njerëzit që punoj dhe kriteri nr. 1 është të jenë njerëz.
Alketa Vejsiu përmendi një rast konkret. Ajo tha se gruaja e babait të saj, punonjëse në RTSH, ishte shkarkuar nga puna pas plot 32 viteve karrierë. Ajo u shpreh se e afërmja kishte kërkuar leje disa ditë pa të drejtë page për t'i shërbyer një të sëmuri që luftonte me vdekjen dhe pas kësaj, u hoq nga puna.
“S’do ia fal kurrë drejtorit aktual atë që i bëri gruas së babait tim në ditët më të vështira. Edlira mori leje pa të drejtë page dhe ndërsa i shërbente një të sëmuri që luftonte me jetën në spital, edhe pasi lajmëroi, e hoqën nga puna në mënyrën më të shëmtuar që mund të ekzistojë. 32 vite punë në atë televizion. I ka hedhur në gjyq dhe pretendon shumë paga dhe do ta fitojë gjyqin, si shumë të tjerë që kishin të njëjtin fat dhe kanë ndjekur të njëjtën rrugë ligjore. Koston e mban shteti shqiptar për shkeljet e drejtoreshës së DBNJ, Anila Agalliu, e cila nuk dënjon të kthejë as përgjigje, harron që është e përkohshme aty dhe nuk është në biznesin e saj privat që të bëjë ç’të dojë.
Unë i shmang polemikat, por më duhet të mbaj qëndrim publik sot. Kam lexuar shumë për Fredin këtë kohë. Të gjithë ata që e atakojnë (sulmojnë) nuk e kanë dritaren time, kështu që po flas edhe për ata. Mos i shkel kurrë njerëzit që të shtruan rrugën ku ecën ti sot, Fred, me kostumin e një drejtori që s’di ta mbash e nuk të shkon fare, se ti nuk di të jesh njeri dhe ky është kriteri i parë i njerëzve që sjellin progress. Atë pozicion pak njerëz mund ta dinë ta mbajnë. Ti thjesht nuk je i denjë! Të rroftë xhaketa me shamiçkë!
Rastin e kësaj gruaje të mirë që hoqën nga puna do e bëj unë publik, edhe pse mori leje pa të drejtë page, për emergjencë (fatkeqësi) e paparashikuar me ligj dhe kjo më mirëkuptoni, nuk është revolt banale për çështje page, se atë do ta ketë sa të ketë jetën, por çështje dinjiteti dhe të drejtë për atë nepotizmin që ulet këmbëkryq në shumë institucione duke i hequr mundësitë meritës dhe kontributeve të shumë njerëzve. Të shkosh në pension me dinjitet, meqë ka punuar me korrektesë për 32 vjet, është trofe i rëndësishëm, që ti ia vodhe”, shkruan Alketa Vejsiu.

Në fund të postimit, Alketa Vejsiu kishte edhe një mesazh për Alfred Pezën, duke i kujtuar se në jetë ekziston karma dhe se një ditë do të ketë drejtësi.

Në një pyetje tjetër nga ndjekësit, Alketa Vejsiu u pyet në lidhje me festivalin e RTSH, sesi iu duk ai. Moderatorja sërish kritikoi Alfred Pezën, duke thënë se drejtori në RTSH duhet të ndryshohet urgjentisht. “Duhet të ndryshojë drejtori njëherë. Duhet një njeri vizionar aty, që ka pasion të bëjë televizion të mirë, që mund të bëjë revolucion dhe që niset nga parimet e së drejtës dhe jo nga agjendat personale. Duhet një drejtor që të mos mendojë si të zbukurojë zyrën e vet, por të mendojë sesi ta transformojë këtë hapësirë publike komunikimi, duke sjellë frymë moderne dhe progres në institucionin më të rëndësishëm të kulturës publike. Refuzoj të punoj me një njeri që heq njerëzit nga puna në mënyrën më arrogante të mundshme dhe mban në punë në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore një grua, e cila ke vetëm 5 muaj që punon aty. Bën terror mbi punonjësit, që i kanë dhënë jetën RTSH-së. Si të bësh festival me Alfredin? E patë se ku është katandisur festivali?”, shkruan moderatorja./ZËRI/