
SHBA- Traileri i ri i "American Horror Story: Delicate Part Two" pret një surprizë të madhe për audiencën. Në klipin e publikuar ditën e mërkurë, më 20 mars, Kim Kardashian shfaqet duke u puthur me aktoren Emma Roberts dhe skena mes dy vajzave tashmë po bën xhiron e internetit, shkruajnë mediat e huaja.
Emma Roberts luan Anna Victoria Alcott, një aktore shtatzënë e cila përballet me shumë dilema, të cilat agjenti i saj, Siobhan, i luajtur nga Kim Kardashian është thirrur t'i zgjidhë. Heroina e Roberts është përballur me fenomene të mbinatyrshme që lidhen me shtatzëninë e saj, si vizionet dhe kërcënimet, duke e bërë atë të bëhet paranojake. Dëshpërimi i saj për të fituar një Oscar e shtyn atë drejt akteve ekstreme.
Sezoni i 12-të i serialit horror amerikan "American Horror Story", me nëntitull "Delicate", është i bazuar në librin "Delicate Condition" nga Danielle Valentine dhe pritet të ketë premierë më 3 prill./ZËRI