
GJERMANI- Bayern Munich dhe Real Madridi kanë dhuruar spektakël në gjysmëfinalen e parë të Champions League, ku u realizuan 4 gola, por në Allianz Arena nuk pati fitues pasi ndeshja u mbyll në barazimin 2-2. Ishin madrilenët që kaluan të parët në avantazh me një gol të Vinicus Junior, me brazilianin që mposhti Neuer me lehtësi.
Në fraksionin e dytë, bavarezët përmbysën brenda katër minutash përkatësisht në të 53-tën dhe 57-tën me anë të Sane dhe Kane që realizoi nga pika e bardhë. Por, në të njëjtën formë iu përgjigj edhe Vinicius me brazilianin që me 11-metërsh vulosi rezultatin përfundimtar 2-2. Kështu, pas një jave në Santiago Bernabeu gjithçka është e hapur dhe do të luhet deri në fund për një biletë në finalen e një qershorit në Wembley.
Musiala fiton penallti dhe Harry Kane e shndërron në gol. Bayern Munich përmbys brenda katër minutash Realin e Madridit.
Bayern Munich barazon ndeshjen. Leroy Sane finalizon me gol një aksion individual teksa me një goditje të fortë me të majtën mposhti portierin Lunin.
Real Madrid gjen golin dhe zhbllokon gjysmëfinalen e parë të Champions League në Allianz Arena. Spanjollët ndëshkuan bavarezët nëpërmjet një goli të Vinicius Junior që nuk fali përballë Neuer duke shfrytëzuar në maksimum një asist inteligjent të Toni Kroos.