
SPANJË – Girona quhet befasia e La Ligës, teksa në start ka lënë pas ekipe gjigande spanjolle si Real Madrid dhe Barcelona.
Girona është klub nga Katalonia, në pronëësi të Sheikh Monsour, kompania e të cilit zotëron edhe aksionet e kampionëve aktualë të Anglisë, Manchester City. Ka një stadium me kapacitet modest dhe një tifozëri tepër të zjarrtë e ekipi drejtohet nga ana e Michel Munoz.
Ekipi po performon shumë mirë me lojë të bukur dhe rezultate pozitive, duke fituar gjashtë sfida e duke barazuar vetëm një në shtatë ndeshjet e para. Ata janë liderë me 19 pikë, duke lënë pas të gjitha ekipet në kampionat.
Lidhja e fortë mes ekipit, lojtarëve dhe tifozërisë ka bërë që Girona të jetë një ferr për kundërshtarët. Ekipi është një miks, mes të rinjve e veteranëve, ku talenti dhe eksperienca kanë sjellë mjaft dobi. Që janë një kundërshtar shumë i fortë ata e dëshmuan edhe me një ekip si Vilareal, duke e mundur me përmbysje.
Në këtë sukses nuk ka sesi mos të ketë pjesën e vet të luanit edhe kapiteni Christian Stuani. Uruguajani u bë pjesë e Gironës, ndërsa më herët kishte luajtur për Albacete, Levante dhe Espanjol. Ai është golashënuesi më i mirë i klubit tanimë, me 116 gola në 212 ndeshje të luajtura. Stuani qëndroi besnik, duke mos pranuar as oferta më të mira, madje as në kohën që Girona ra nga kategoria e më të mirave të Spanjës.
Është ende herët për të folur për një sukses që do të kurorëzohej në fund me titull, por historia e futbollit ka njohur çudira, teksa Leicester në të kaluarën ka qenë kampion i Anglisë, kur askush nuk e priste. Girona sfidën e radhës e ka me Real Madrid, një pengesë më tepër se serioze./Zëri.ai/