TIRANË- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, u shfaq i emocionuar pas triumfit të madh ndaj Serbisë. Teksa shprehu emocionet e tij, Duka vlerësoi edhe lojën e Kombëtares duke thënë se çunat dhanë maksimumin e tyre dhe në fund ajo që ka rëndësi është fitorja. Megjithatë, sipas tij, Shqipëria ka bërë më shumë se gjysma e rrugës drejt Botërorit, por ka ende punë.
“Jemi në ekzaltimin e festës, nuk mbaj mend çfarë i kam thënë… Ka qenë një rezultat i mirë, sportivisht i domosdoshëm. Çunat dhanë maksimumin. Akoma s’jemi gjysma e rrugës.”, u shpreh Duka.
I pyetur për Sylvinhon, Duka tha se kanë qarë të dy, para se të takonin çunat. Presidenti la të kuptohet vazhdimin e Sylvinhos në stolin e Kombëtares.
“Një skuadër fituese nuk diskutohet, një trajner fitues nuk ndërrohet.”, deklaroi Duka.
Nga ana tjetër, pas disfatës në shtëpi kundër Shqipërisë, trajneri i Kombëtares serbe Dragan Stojkovic ka dhënë dorëheqjen. Tekniku serb, deklaroi në konferencën për shtyp, se nuk do të jetë në stolin e kombëtares së tij, për duelet e ardhshme.
“Kisha në bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam paraqitur dorëheqjen. Nuk e prisja humbjen ndaj rivalit direkt. Marr përgjegjësinë dhe jam unë fajtori i vetëm. Më vjen keq që humbëm ndeshjen, por futbolli kështu është”, tha Stojkovic.
Shqipëria triumfoi 0-1 ndaj Serbisë në Leskovac. Ishte goli i Rey Manaj në minutën e 46-të, të pjesës së parë që i dhuroi kuqezinjve fitoren për të vazhduar “Ëndrrën Amerikane".

