
TIRANË-4 herë është ndëshkuar me të kuqe në 12 ndeshjet e fundit me Dinamon skuadra rrogozhinase. 1 herë blutë. Kjo është statistika e parë që të bie në sy. Një tjetër me rëndësi është se rrogozhinasit kanë fituar 6 nga 12 përballjet e fundit, nga të cilat janë barazuar 5. Vetëm një herë ka fituar Dinamoja, 2-1 në dhjetorin e vitit të shkuar të këtij sezoni.
Mund të thuhet me plot gojën se Dinamoja mund t'ia gricë jo pak nervat rrogozhinasve lehtësisht, nisur nga kartonët e kuq, por faktikisht është treguar e pazonja t'i kthejë në rezultate dhe te Egnatia ka gjetur "Macen e Zezë".
Në sezonin 2024/2025 skuadrat janë ndeshur katër herë, një për secilën fazë.
Ndeshjen e fundit, në mars, të drejtuar nga ai që do të jetë edhe sot arbitri i finales, Enea Jorgji, e fitoi Egnatia 2-0, me golat e Ujkës dhe Lushkjes. Ndeshjen e fazës së tretë e fitoi Dinamoja, me golat e Nanit dhe Itodos, që zhvlerësuan golin e Ndrecës 2-1.
Në fazën e dytë ndeshja u nda në barazim 1-1. Lushkja dhe Bregu shënuan nga penalltitë. Lushkja dhe Vuthaj nga penalltia ishin dyshja që i dhanë fitoren 2-0 skuadrës së Egnatias në fazën e parë. Dukshëm bilanci i këtij sezoni flet për Egnatian dhe emri i Regi Lushkjas del si ndëshkues i rregullt ndaj bluve.
Në 36 ndeshje kampionat, Dinamoja ka shënuar dy gola më shumë se sa Egnatia, ndërsa të gjelbrit kanë një mbrojtje më solide, me 11 gola më pak, duke e mbajtur 15 herë të paprekur portën e tyre.
Statistikisht Egnatia e mban 6% më shumë topin se sa Dinamoja, 59%, kanë thuajse të njëjtën saktësi pasimi me një diferencë 0.2% në favor të Egnatias dhe që në fakt është 6.2% më e madhe për pasimet e gjata të sakta.
Egnatia vjen në finalen e shtatëdhjetë e tretë të Kupës së Republikës, për herë të tretë radhazi si finaliste. Në vitin 2024 e fitoi finalen me Kukësin 1-0, ndërsa në vitin 2023 fitoi në kohët shtesë me Tiranën me të njëjtin rezultat.
Dinamoja ishte për herë të fundit në një finale Kupe në vitin 2011, ku humbi 4-3 me penallti me Tiranën, pas kohës së rregullt 1-1. Kupën e fundit Dinamoja e fitoi në vitin 2003, 22 vjet më parë, 1-0 në finalen me Teutën.
Blutë e kanë fituar 13 herë Kupën, 6 herë kanë qenë finalistë. Egnatia e ka fituar 2 herë në 2 pjesëmarrje./ZËRI