Qytetërim

Elmar Bergonzini rreshton dhjetë “goditjet më të mira” të Igli Tares

Gjatë 18 viteve si njeriu i merkatos te Lacioja, Igli Tarja ka fituar 5 trofe nga gjashtë të tillët e epokës Lotito, duke humbur edhe disa finale.

k.m.
Elmar Bergonzini rreshton dhjetë “goditjet më të
Igli Tare

ITALI- Elmar Bergonzini, bashkëpunëtor i “Gazzetta dello Sport”, raportues i vjetër i mjedisit lacial dhe folës në radion zyrtare të Lacios, në numrin e sotëm të gazetës sportive më të vjetër italiane radhiste dhjetë goditjet më të suksesshme të merkatos laciale. Gjatë 18 viteve si njeriu i merkatos te Lacioja, Igli Tarja ka fituar 5 trofe nga gjashtë të tillët e epokës Lotito, duke humbur edhe disa finale. Shqiptari ka ditur të shëndrrojë intuitat e tij në përfitime të mëdha ekonomike për klubin. Suksesi i Igli Tares nuk matet vetëm me trofetë, por edhe me aftësinë e tij për të zbuluar dhe sjellë lojtarë me vlerë të madhe, të cilët më pas janë shitur për shifra të larta. Rregullisht ai ka krijuar plusvalenca të rëndësishme për klubin.

Tani që është pranë kalimit te Milan, përvoja e tij dhe zgjuarsia në tregun e transferimeve shihen si një aset i madh për të nisur një cikël të ri suksesi në San Siro. Bergonzini, një nga njohësit më të mirë të Lacios në gazetarinë sportive italiane, rendiste disa nga blerjet më të mira që shqiptari realizoi gjatë kohës te Lazio:

1. Braziliani Hernanes, i cili u transferua te Lacioja në verën e vitit 2010 për 13.5 milionë euro dhe me 11 gola në sezonin e parë ndihmoi skuadrën të kalonte nga lufta për mbijetesë në garën për Ligën e Kampionev. Në 156 ndeshje shënoi 41 gola, fitoi Kupën e Italisë në 2013 ndaj Romës dhe u shit te Interi për 18 milionë euro në 2014. Sot mbetet shumë i lidhur dhe tifoz me bardhekaltrit.
2. Miroslav Klosja u transferua te Lacioja në verën e vitit 2011 me parametër zero, pas bindjes nga Igli Tare, ish-shoku i tij i skuadrës së Kaizerslauten. Në 171 ndeshje shënoi 63 gola, u bë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e klubit dhe fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë në 2014.
3. Senad Luliçi u transferua te Lacioja në vitin 2011 për 3 milionë euro nga Jang Bojsi, mes shumë dyshimesh. Qëndroi 10 vite në klub, shënoi gola vendimtarë në finalet e Kupës së Italisë (2013) dhe Superkupës (2019) dhe me 371 ndeshje u bë kapiten dhe një ikonë e Lacios, duke shënuar golin e famshëm në finalen e fituar me Romën në vitin 2013, në minutën e shtatëdhjetë e një.
4. Arbëreshi Antonio Kandreva erdhi te Lacioja në huazim në vitin 2012 dhe më pas u ble për 9 milionë euro. Ai u shndërrua në një lojtar kyç me 45 gola në 192 ndeshje, dha asistin vendimtar në finalen e Kupës së Italisë 2013 dhe u shit te Interi për 22 milionë euro në vitin 2016. Nuk dëshironte kurrë të largohej, madje shpesh jepte sinjale rikthimi, por polemika për shiritin e kapitenit ia vështirësoi klimën në skuadër.
5. Felipe Andersoni u transferua te Lacioja në vitin 2013 për 7.5 milionë euro, pas një tratative të zgjatur me Santosin. Ai pati vështirësi në fillim, por Tarja besoi gjithmonë. Pas shpërthimit të tij, në vitin 2018 u shit për 38 milionë euro në Angli, duke sjellë përfitimin më të madh financiar për Lotiton deri në atë kohë. Në Evropë e mbylli te Lacioja me një rikthim duke u “shtrydhur” nga trajner Sarri, i cili e pëlqente shumë dhe e përdorte rregullisht si titullar të padiskutueshëm.
6. Në verën e vitit 2014, Igli Tarja siguroi firmën e Stefan De Vrijit nga Fejenordi për vetëm 7 milionë euro, duke e transferuar përpara Kupës së Botës ku ai u shpall mbrojtësi më i mirë i turneut dhe tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha si Mançester Junajtidi.
7. Sergej Milinkoviç-Saviçi, tanimë legjendë dhe tifoz ultras lacial, u ble për 12 milionë euro në 2015, falë vëmendjes së Igli Tares gjatë Botërorit U20, duke tejkaluar konkurrencën e Fiorentinës. Ai u shit në 2023 për 40 milionë euro te Al-Hilali, duke mbyllur karrierën te Lacioja me 69 gola në 341 ndeshje. Serbi u bë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e klubit.
8. Çiro Imobilja u transferua te Lacioja në vitin 2016 për 9 milionë euro, duke u rikthyer në Itali pas një periudhe të vështirë jashtë vendit. Ai u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 207 gola në 340 ndeshje dhe ishte vendimtar në fitimin e Superkupës ndaj Juventusit në 2017 me një dopietë.
9. Luis Albertoja u transferua te Lacioja në 2016-n për 4 milionë euro, pas një periudhe të vështirë te Liverpuli ku nuk gjente hapësira dhe po mendonte ta linte futbollin. Falë besimit të Tares dhe trajnerit Inzagi, ai shpërtheu duke shënuar 52 gola dhe duke dhënë shumë asiste në 307 ndeshje me Lazion.
10. Braziliani Lukas Leiva u transferua te Lacioja në vitin 2017 për 5.5 milionë euro për të zëvendësuar Biljan. Në ndeshjen e tij të parë si titullar fitoi Superkupën kundër Juventusit në 2017 dhe u bë i dashur për tifozët me përkushtimin dhe pasionin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB