Qytetërim

Erkand Qerimaj tërhiqet nga Botërori, i thotë lamtumirë ëndrrës olimpike!

Pak përpara nisjes për në Tajlandë, peshngritësi kampion i Europës vendos të tërhiqet nëpërmjet një sms-je duke njoftuar Federatën Shqiptare të Peshngritjes se ishte sëmurë.

f.t
Erkand Qerimaj tërhiqet nga Botërori, i thotë lamtumirë
Erkand Qerimaj

TIRANË-Erkand Qerimaj nuk do të shkojë në Botërorin e Peshëngritjes në Tajlandë. Shqipëria kishte regjistruar fillimisht dy peshëngritës në Botëror, dy emra të mëdhenj që kanë bërë historinë e këtij sporti në vendin tonë, Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn. Të dy garues në kategorinë e peshave 73 kg, por në momentin e fundit shkodrani ka njoftuar se nuk do të jetë në Kampionatin Botëror.

Pak përpara nisjes për në Tajlandë, peshngritësi kampion i Europës vendos të tërhiqet nëpërmjet një SMS-je duke njoftuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes se ishte sëmurë. Qerimaj bëri të ditur se nuk do të garojë për shkak të një viroze të stinës, ndërsa thotë se mjekët i kanë rekomanduar disa ditë pushim, pasi ka kaluar një ftohje. Tërheqja nga Botërori bën që peshëngritësi shqiptar të humbë kështu edhe shansin për të marrë pjesë në Paris 2024 që do të ishte edhe Olimpiada e tij e fundit.

Vendimi i Erkand Qerimajt vjen pas një sërë akuzash ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) për mashtrim dhe fshehje rezultatesh. Madje shkoi deri aty sa deklaroi se FSHP nuk e ka regjistruar në Kupën e Botës që do zhvillohet në Tajlandë, turne që vlen për pikët e nevojshme për në Lojërat Olimpike të Parisit.

Shqipëria tashmë i ka të gjitha shpresat te Briken Calja, i cili pasi ka fituar betejën me rënien nga pesha, duke zbritur në kategorinë 73 kg, tashmë synon shkëlqimin në botëror dhe një biletë kualifikuese për në Olimpiadë./ZËRI

Poll

MOS HUMB