
AUSTRALI- Shiu ishte aktor i Çmimit të Madh të Australisë. Paqëndrueshmëria e tij e diktoi ndarjen e garës në disa akte. Disa pilotë nuk mundën ta mbarojnë garën si shkak i humbjes së kontrollit, disa të tjerë, përfshirë këtu edhe Vestappen dhe Antonellin, e mbaruan me fat. Isack Hadjar-i ngriti siparin e asaj që do të bëhej pjesë e lojës (Racing Bulls), pamundësinë e përshtatjes së gomave të duhura me intensitetin e shiut, ai humbi kontrollin që në xhiron njohëse/formatuese dhe bëri që nisja e garës të shtyhej me 10 minuta.
Në fund, Landon Norrisi bëri "tripletë", ai e nisi Botërorin me një fitore, i nisur nga Pole Position dhe si xhiroja më e shpejtë e garës. Në xhirot e fundit iu desh të mbrohej mirë nga Verstappen. McLaren-i ishte pranë dopietës, por Piastri gaboi në shi dhe zbriti në vendin e 9-të. Russell-i u ngjit në podium, ndërsa italiani Kimi Antonelli, të cilin vetëm fati e mbajti një çast në pistë, përfundoi në vendin e 4-t dhe pati një debutim ëndrrash. Garë e hidhur për Ferrarin e shumëpritur: Leclerc i 8-ti, Hamilton i 10-ti.
Për 25-vjeçarin Norris kjo ishte fitorja e pestë në karrierën e tij prej 7 sezonesh si profesionist, katër prej të cilave në sezonin e shkuar.
Renditja e dhjetë pilotëve në zonën e pikëve në Çmimin e Madh të Australisë ishte si vijon: 1. Norrisi i Meklarenit i pari (25 pikë), 2. Verstapeni i Red Bullit i dyti (18 pikë), 3. Rasëll i Mercedesit (15 pikë), 4. Antoneli i Mercedesit (12 pikë), 5. Alboni i Uilliamsit (10 pikë), 6. Strolli i Aston Martinit (8 pikë), 7. Hulkenbergu i Sauberit (6 pikë), 8. Leklerku i Ferrarit (4 pikë), 9. Piastri i Meklarenit (2 pikë), 10. Hamiltoni i Ferrarit (1 pikë)./ZËRI