
KOREJA E JUGUT- Aktori koreano-jugor Lee Sun-kyun, 48-vjeç, i njohur më së shumti për rolin e tij në filmin fitues të çmimit Oscar Parasite, është gjetur i vdekur në një makinë në një nga parqet kryesore të Seulit.
Ngjarja po hetohet për vetëvrasje, por policia tha se mori një raport se ai ishte larguar nga shtëpia pasi kishte shkruar një shënim. Ai ishte nën hetim për përdorim droge që nga muaji tetori, shkruan BBC. Ky skandal i kishte njollosur imazhin e tij si një aktor i suksesshëm, duke e privuar, sipas disa mediave të Koresë së Jugut, paraqitjet televizive dhe kontratat reklamuese.
Oficerët ishin vënë në kërkim të Lee me kërkesën e familjes së tij, të cilët kishin gjetur një mesazh nga aktori që mund të sugjeronte qëllimin e tij për të kryer vetëvrasje.
Lee Sun-kyun luajti si aktori kryesor në dhjetëra filma dhe shfaqje televizive, duke u bërë një emër i njohur gjatë viteve 2010. Po ashtu, fitoi famë ndërkombëtare si Park Dong-ik në Parasite, babai i familjes së pasur Park, e cila është infiltruar nga anëtarët e një familjeje të varfër që paraqiten si individë të palidhur.
Filmi mori katër çmime në Oscars në 2020, duke përfshirë filmin më të mirë - duke u bërë filmi i parë joanglisht që fitoi çmimin. /ZËRI