
TIRANË- Gazetari nga Kosova, Berat Buzhala, i cili njihet për humorin e tij të hollë, ka komentuar abuzimin me çmimet që hera herës iu bëhet pushuesve kur vijnë në Shqipëri. Ai ka marrë si shembull, një ndodhi që ka ndodhur me një të afërmin e tij, i cili është detyruar që të blejë një shalqi për vlerën e 400 eurove. Buzhala shkruan se Shqipëria ka hyrë ‘në gjynah’ me pushuesit nga Kosova, dhe për ta shlyer dëmin, nuk do mjaftonte as që bostanët t’i jepnim falas për 10 vitet e ardhshme.
“Hala nuk m’hjeket prej mendjes kur ia paten shite ne Levan te Fierit, ni t’afermi tem qe jeton Gjermani, nje bostan nja 300 a 400 euro. Kjo pune n’pike te veres. Vec i pat bo shitesi nja dy tri kfinta me lek te vjetra e te reja.
Shume kane hy ne gjynah me ne. Nese dojne me dale baraz me neve para te lumit Allah duhen me na dhane bostan pa pare nja 10 vjet.
400 euro ni bostan 10 killsh. Vlera reale 40 cent”, shkruan Buzhala në postimin e tij. Në reagime të tjera, Buzhala ka treguar se për pushime ka zgjedhur gjithmonë Shqipërinë, edhe pse diferenca në çmime që iu bëhet pushuesve nga Kosova, në raport me vendasit, është denoncuar pothuajse në çdo sezon.
Ky sezon që pritet të nisë në vendin tonë, do të jetë edhe më i shtrenjtë se vitet e kaluara, ndërsa bizneset në jug të vendit kanë paralajmëruar rritjen e çmimeve me më shumë se 30%.
/ZËRI