
TIRANË- Ka nisur regjistrimi në kopshte dhe çerdhe për vitin 2024-2025. Me anë të sistemit elektronik, prindërit mund të kryejnë aplikimet pa nevojën e vizitave fizike, duke siguruar një procedurë më të thjeshtë dhe transparente.
Si të aplikoni?
Pasi të kenë hyrë në sistem në platformën e dedikuar: e-femijet.tirana.al. do të jeni përballë katër opsioneve: regjistrim në çerdhe, regjistrim në kopsht, transferim nga çerdhja në kopsht, ose transferim nga një institucion në një tjetër. Prindi duhet të: krijojë një llogari personale me të dhënat bazë (emër, mbiemër, numër telefoni dhe adresë email-i), të zgjedhë një nga katër opsionet e aplikimit në sistem, dhe të ngarkojë dokumentet përkatëse sipas rastit.
Dokumentet e nevojshme për regjistrim: Certifikata personale dhe familjare e fëmijës, vërtetimi i punës së prindërve (përfshihet edhe paga mujore), vërtetimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore (nga e-Albania) dhe vërtetimi i vaksinimeve të fëmijës.
Në rast transferimi nga një institucion në tjetrin, kërkohet edhe një justifikim i arsyes së lëvizjes. Për fëmijët e kategorive të veçanta (të ndjeshëm ose me status të veçantë), duhet të dorëzohen dokumente shtesë që vërtetojnë këtë status.
Të gjithë aplikantët duhet të paguajnë një fond garancie prej 5,000 lekësh, i cili kryhet pranë zyrave të Postës Shqiptare. Ky fond është i detyrueshëm për finalizimin e regjistrimit. Konfirmimi i regjistrimit ose refuzimi do të dërgohet përmes email-it gjatë muajit në vijim. Prindërit që hasin vështirësi me aplikimin online mund të drejtohen pranë institucioneve përkatëse për ndihmë./ZËRI