SHBA- Sean “Diddy” Combs, dikur një nga figurat më të fuqishme të industrisë muzikore amerikane, e priti 56-vjetorin e tij në mënyrën më të përulur të mundshme, me një pjatë me fasule dhe sallatë në mensën e burgut federal Fort Dix në Nju Xhersi. I dënuar me 50 muaj burg për transportim me qëllim përfshirjeje në prostitucion, Combs po vuan dënimin në një strukturë të sigurisë së ulët që ndodhet rreth 40 milje nga Filadelfia.
Sipas planit ushqimor të burgut, që është siguruar nga revista People, dita e tij nisi në orën 6:30 të mëngjesit me drithëra integrale, bukë gruri ose ëmbëlsirë mëngjesi, dy paketa reçeli, qumësht dhe margarinë. Dreka, e shërbyer midis orës 11:00 dhe 12:00, ofroi dy zgjedhje: pulë parmixhano ose hamburger me qiqra, me makarona me salcë domatesh dhe spinaq në anë, si dhe bukë me hudhër ose bukë të plotë gruri. Për desert, të burgosurit mund të zgjidhnin midis frutave ose ëmbëlsirës.
Në darkë, e cila shërbehej rreth orës 16:30, menuja përfshinte picë me djathë ose fasule, të shoqëruara me sallatë makaronash italiane, bishtaja jeshile dhe sallatë kopshti, me përzgjedhje të ndryshme veshjesh.
Për një prekje më “luksoze”, Combs kishte mundësinë të blinte ëmbëlsira nga kantina e burgut: copëza cheesecake për 1.07 dollarë, honey buns për 1.30 dollarë, Pop-Tarts për 2.85 dollarë apo biskota nga 1.95 deri në 2.60 dollarë. Ajo që mungonte në listë ishte salca e mollës, që sipas avokatit dhe dëshmitarëve ai e kishte të preferuar dhe e përdorte madje mbi hamburgerët e tij.
Pas arrestimit në shtator 2024 dhe qëndrimit në qendrën Metropolitan Detention Center në Brooklyn, Combs u transferua më 30 tetor në Fort Dix pas ankesave të avokatëve të tij për kushtet e vështira të paraburgimit. Fort Dix u zgjodh gjithashtu për programet e tij të rehabilitimit kundër varësisë nga droga. Ai ndan tani një qeli në stil konvikti me të burgosur të tjerë.
Combs u dënua në tetor nga gjykatësi federal Arun Subramanian, pasi u shpall fajtor në korrik për dy akuza të transportimit për përfshirje në prostitucion. Sipas faqes zyrtare të Byronë së Burgjeve, data e lirimit të tij është 8 maj 2028 — me mundësi për dalje të parakohshme për sjellje të mirë.
Avokatja e tij, Alexandra Shapiro, dorëzoi më 20 tetor një apel dyfaqësh për rishikimin e vendimit. Apeli i përshpejtuar u pranua më 3 nëntor nga gjykatësja federale Beth Robinson, dhe seanca e parë dëgjimore është planifikuar për prill 2026.