
TIRANË- Sportistja Klodiana Shala habiti vitin e kaluar publikun kur tha se ish-partneri i saj është në krah të Luiza Gegës. Pas deklaratës së saj, reagoi Gega, e cila tha se nuk ka asgjë mes saj dhe trajnerit të saj dhe se nuk ka ndërhyrë në marrëdhënien e tyre. Teksa ishte e ftuar në podkastin “n’SPAK” me gazetarin Ermal Qori, ajo tha sërish se ka një marrëdhënie të mirë dhe profesionale me trajnerin e saj.
“Klodiana prej 13 vitesh është ndarë dhe nuk e kuptoj pse. Që nga fillimet e mia dhe një nga arsyet pse unë jam munduar fort, ka qenë edhe trajneri që më ka ndihmuar, sidomos në vitet e para qoftë edhe nga ana financiare sepse ai besonte fort që unë kisha potencial për të arritur gjëra të mëdha. Edhe doja në një formë t’ja shpërbleja sigurisht të paktën me një kënaqësi le të themi emocionuese sepse ai për këtë e bën sportin”, tha Gega.
Problemet mes dy sportisteve Klodiana Shala dhe Luiza Gega kanë filluar vite më parë, kur ajo u nda me partnerin e saj Taulant Stermasi. Shala akuzoi Gegën se ka ndërhyrë në marrëdhënien e tyre dhe “i mori burrin”. Vitin e kaluar ajo rrëfeu se më parë kishte marrëdhënie të mira me atleten, ku tha se në fillimet e karrierës, Gega shkonte në shtëpinë e tyre pasi kishte probleme financiare. Gega i quajti deklaratat e saj të pavërteta dhe tha se ajo po viktimizohet, siç bën gjithmonë. /ZËRI