SHBA-Organizata më e madhe e futbollit në botë, FIFA, ka thënë se ndeshjet e Kupës së Botës 2026 do të zhvillohen sipas orarit të shpallur vitin e kaluar, duke i shuar shpresat e Iranit për zhvendosjen e ndeshjeve nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë për shkak të luftës së vazhdueshme SHBA-Izrael kundër Iranit.
Federata Iraniane e Futbollit ka kërkuar nga FIFA (organi më i lartë i futbollit botëror) zhvendosjen e ndeshjeve të saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Meksikë, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë; kjo si pasojë e konflikteve të 19 ditëve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Meqenëse Presidenti i SHBA-së deklaroi se nuk mund të garantojë sigurinë e ekipit tonë, ne nuk do të shkojmë në Amerikë. Kërkojmë zhvendosjen e ndeshjeve në Meksikë”, është shprehur presidenti i federatës iraniane, Mehdi Taj.
“FIFA është në kontakt të rregullt me të gjitha shoqatat anëtare pjesëmarrëse, përfshirë Iranin, për të diskutuar planifikimin për Kupën e Botës FIFA 2026. FIFA mezi pret që të gjitha ekipet pjesëmarrëse të garojnë sipas orarit të ndeshjeve të shpallur më 6 dhjetor 2025.”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Pas shpërthimit të luftës më 28 shkurt, pjesëmarrja e Iranit në lojëra është vënë në dyshim. Javën e kaluar, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani ishte i mirëpritur të vinte në vendin e tij për ndeshjet e tij. Në përgjigje të komenteve të Trump, ekipi i futbollit i Iranit tha në një postim në mediat sociale se "askush nuk mund ta përjashtojë ekipin kombëtar të Iranit nga Kupa e Botës".
Kupa e Botës 2026 do të luhet për herë të parë në tre vende: SHBA, Meksikë dhe Kanada. Ndeshja e parë është planifikuar për 11 qershor dhe do të luhet midis Afrikës së Jugut dhe Meksikës.