
TORINO-Dje, sitet miqësore pranë mjedisit juventin, kanë sjellë në vëmendje një rrëfim të Luciano Moxhit në vitin 2017 për "Corriere dello sport". Moxhi tregonte se si nëpërmjet një kurthi kishte bindur ta merrte te Juventusin lojtarin më të rrezikshëm dhe më të mirë të lacialëve në çdo përballje direkte Juventus-Lacio.
Moxhi dëshmoi se blerja e Pavel Nedvedit ishte e vështirë, për faktin që lojtari ndjehej mirë te Lacioja, ishte i mirëpaguar, kishte një pozitë kyçe në skuadër dhe në projektin e tyre dhe po kalonte një formë të shkëlqyer sportive.
"E telefonova dhe i thashë: "Nëse të sillja te Juventusi, duke qenë se sa herë që luajmë në Olimpico na shënon gjithmonë një gol?". Pavel më u përgjigj se ndihej mirë në Romë, ku mund të luante edhe golf. Unë i tregova për La Mandria (rezidenca ku qëndrojnë Agnelli-t), por ai nuk donte t’ia dinte. Kështu që e lashë të qetë", tregonte ish-drejtuesi sportiv juventin.
Këtu nis të ngrejë një kurth me mendjen e tij. Një ditë, ndërsa ishte në Republikën Çeke, Moxhi e telefonoi sërish Nedvedin dhe në emër të mirësjelljejes i tha se ishte i pafuqishëm ta detyronte në vendimet e tij, por donte t'i dërgonte një helikopter privat për ta marr në Torino e ta bënte të shihte rezidencat ku Anjelët e Juventusit luanin golf në La Mandria e me të njëjtin helikopter do ta kthente në Romë. Golfi ishte dritarja psikologjike ku Moxhi kishte vendosur të hynte në dhomën e vendimmarrjes së ish-Topit të Artë, çekut Nedved.
"Ai pranoi dhe unë njoftova të gjithë gazetarët e botës, të cilët shkruajtën se Nedved po vinte te Juventusi. Kështu në Romë filluan ta quanin tradhtar dhe kështu u bë më e lehtë që ai të firmoste. Me këtë manovër i solla fat Juventusit, sepse Pavel është një njeri i ekuilibruar dhe inteligjent, si lojtar ashtu edhe si drejtues", rrëfeu vetë Luciano Moxhi.
45 milionë euro, një ndër transferimet më të shtrenjta të kohës, ishte shifra e transferimit të çekut te Juventusi, në 1 korrik 2001. Pesë vjet më parë Lacioja e kishte blerë 4.65 milionë nga Kosice në kampionatin çek./ZËRI