
LISBONË- Ish-futbollisti i Tottenhamit, Marcus Eduards, ka pësuar një aksident me makinë, teksa po shkonte në stërvitje me skuadrën aktuale të Sportingut të Lisbonës. Anësori 24-vjeçar ka pasur një përplasje të fortë me mjetin e tij, por është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai u përplas me një makinë tjetër. Edhe drejtuesi i mjetit tjetër raportohet se nuk ka pësuar lëndime trupore. Policia, zjarrfikësit dhe mjekët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Një Range Rover i përmbysur i fotografuar në vendngjarje u identifikua si automjeti i Eduards.

Aksidenti ka ndodhur afër zonës së njohur si Atalaia, në veri të Lisbonës. Seanca stërvitore e Sporting Lisbonës duhej të fillonte në orën 10 të mëngjesit me orën lokale dhe mendohet se është vonuar pak, si rezultat i kësaj ngjarjeje. Përfaqësuesit e klubit mësohet se kanë shkuar në vendin e aksidentit për të ndihmuar Eduards. Futbollisti nuk ka bërë ende asnjë koment në rrjetet e tij sociale.

Eduards, i lindur në Angli nga një baba anglez dhe një nënë greke, ishte rrugës për në seancën e tij të fundit stërvitore me klubin, përpara ndeshjes së tyre në Europa League kundër skuadrës italiane, Atalanta./Zëri.ai/