
POLONI – Lojtari i Kombëtares Ernest Muçi është transferuar në momentet e fundit të merkatos së dimrit nga Legia e Varshavës tek Besiktas në Turqi. Operacioni kapi vlerën e 10 milionë eurove, duke kthyer futbollistin e Kombëtares, në futbollistin më të shtrenjtë për klubin turk.
Në një intervistë dhënë për mediat në Turqi, trajneri i Legia Varshavës, Kosta Runjaic, tha se ishte kundër largimit të Muçit nga skuadra. Ai deklaroi se Muçi ishte një lojtar, që i shërbente shumë ideve që kishte. Runjaiç tha se nuk do ta shiste Muçin as për 20 milionë euro. Ai tha se i ka mbetur peng fakti se nuk e përshëndeti dot lojtarin, pasi transferimi i tij ndodhi në kohë rekord.
Trajneri i Legias tha se një veçanti e Ernest Muçit është se ai është vendimtar në ndeshje kyçe. “Muçi jep shumë për skuadrën. Ai është i shpejtë, ka aftësi prej golashënuesi dhe mund të shënojë gola me të dyja këmbët. Muçi është një futbollist, që është vendimtar në momente kyçe. Falë aftësive të tij, ai bën presing në fushë kundërshtare. Ernest Muçi është një ata lojtarë, që edhe shumën 10 milionë euro mund ta dyfishojë apo trefishojë në të ardhmen”, tha trajneri i Legias.
Ernest Muçi kaloi nga Legia Varshava tek Besiktas në merkaton e dimrit. Ai është bërë tashmë lojtari më i shtrenjtë i Besiktasit në Turqi./ZËRI/