
ITALI- Ka shumë hotele të shkëlqyera në botë. Në fakt, ka disa mijëra prej tyre - sipas një vlerësimi, ka mbi 4 400 prona me katër dhe pesë yje në të gjithë globin. Por një vend tashmë, zyrtarisht, kryeson listën: Passalacqua.
Më 19 shtator, Organizata prestigjioze e 50 hoteleve më të mirëve në botë e emëroi vilën Lake Como si hotelin më të mirë në botë për vitin 2023. Ishte një vlerësim triumfues për çdo akomodim—por veçanërisht për atë ‘Passalacqua’, i cili ka 24 dhoma dhe u hap në qershor 2022. "Liqeni Como në gjendjen e tij më magjepsëse dhe luksoze me një nuancë bohemianizmi do iu shoqërojë në këtë hotel", lexohej në shënimin e inspektimit të organizatës.

Në vitin 2018, Valentina De Santis dhe familja e saj - gjithashtu pronarë të Grand Hotel Tremezzo aty pranë - blenë pronën spektakolare nga një çift amerikan. Familjarët De Santis e kuptuan se një vend si Passalacqua nuk ishte menduar të ishte banesë private dhe vendosën ta shndërrojnë atë në një hotel butik me një vizion shumë specifik:
“Ne kishim tashmë në mendje idenë për të rikthyer villeggiaturan, në një lloj vintage”. Të bësh plazh në këtë vend në verë pasditeve është një mrekulli. Dhoma e pritjes duket sikur të jetë dhoma e ndenjes e një miku të ngushtë—ndonëse tepër elegante. Ajo është e mbështjellë me një jeshile të ngrohtë dardhe dhe një bimë interesante me gjethe fiku ishte në qoshe. Një llambadar xhami Murano varej në tivan. Gjithçka duket sikur je në shtëpi, qetësia dhe komoditeti janë prioritet. Në brendësi gjendet një mantel mermeri Breccia Pontificia, të rrethuar nga objekte antike të artit. Në dhomën tjetër ndodhet një bar që ka disa ulëse prej pellushi, ndërsa kuzhina mban një ‘ishull’ të mbushur me ëmbëlsira, tas frutash, salmon të tymosur dhe bukë të sapopjekur për mëngjes.

Ndodhet mbi tokën buzë liqenit që ishte nën pronësi të Papa Inocentit IX, i cili sundoi në Vatikan për vetëm dy muaj në 1591. Në fillim të viteve 1800, konti Andrea Lucini Passalacqua ndërtoi një vilë të madhe të kompletuar me ambiente të brendshme nga stilisti i famshëm zviceran Giocando Albertolli. Njihej si një nga pronat më madhështore në rajon: në vitin 1829, Vincenzo Bellini kompozoi dy nga operat e tij të famshme, Norma dhe La Sonnambula, në dhomën e muzikës së hotelit. Pronarët ndryshuan gjatë shekujve, secili duke sjellë pjesën e vet të mysafirëve të shquar, nga Napoleon Bonaparte te Uinston Churchill. Kjo ndërtesë pra mbart histori.
Në të gjithë pronën, madhështia neoklasike kombinohet me prekjet moderne: dhomat janë të larta 10 metra (ose 16 metra, në rastin e suitës Salla de Musica, ku Bellini kompozoi operat e lartpërmendura) llambadarët e qelqit janë Barovier & Toso Murano.
Një palestër me rutinë më moderne ndodhet mes një ullishteje. Disa dhoma kanë afreske të restauruara me kujdes dhe pishina ka tapiceri nga JJ Martin i La Double J. Një banjë është e bashkangjitur në një tunel sekret që të çon në liqen, i përdorur dikur si vendkalim nga shërbëtorët. Ndërkohë, varka klasike prej druri e hotelit, "Didi", është e veshur me pëlhura Loro Piana dhe punonjësit e hotelit janë të veshur me uniforma të dizajnuara nga marka italiane e vajzave Giuliva Heritage.
Perdet janë bërë me material me burim nga liqeni i Comos dhe pasqyrat e praruara vijnë nga Barbini i Venecias. Divanet dhe karriget përmbajnë tekstile nga Rubelli, ndërsa dyshemetë e dhomave të gjumit janë të shtruara me pllaka tradicionale Cotto Lombardo. De Santis thotë se gjithmonë donte të mbushte Passalacquan me produkte italiane.
De Santis thotë se shpesh, të ftuarit kanë një reagim emocional pas hyrjes në dhoma, disa prej të cilave kanë afreske, tavane të pikturuara dhe janë të zbukuruara me barok. “Nuk e dini sa herë ekipi ynë i shoqëron të ftuarit në dhoma dhe ata fillojnë të qajnë,” thotë Valentina De Santis. "Unë mendoj se është një vend që me të vërtetë prek dhe emocionon, sepse interpretimi im është se ata jo vetëm shohin pjesët dhe mobiljet e bukura, por ndjejnë dashurinë dhe pasionin që fshihet pas çdo gjëje këtu”./Zëri.ai/