
SHBA- Ka qenë një vit sfidues për Mira Muratin, një nga forcat kryesore pas krijimit së OpenAI. Si shefe e teknologjisë së kompanisë, Murati ka udhëhequr zhvillimin e modeleve inovative si ChatGPT dhe DALL-E, duke i sjellë ato në përdorim të gjerë. Nëntorin e kaluar, ajo mori vëmendjen e publikut kur u emërua CEO e përkohshme, pas largimit të diskutueshëm dhe të shkurtër të Sam Altman. Sipas The Times, Murati kishte shprehur shqetësime në bordin e OpenAI për lidershipin e Altman, por pas një kundërshtimi të fortë nga punonjësit dhe investitorët, Altman u rikthye me mbështetjen e plotë të Muratit.
Në muajt e fundit, Murati ka luajtur një rol më aktiv publik në OpenAI, duke prezantuar modele të reja dhe të avancuara. Në maj, ajo prezantoi GPT-4o, një model që mahniti përdoruesit me aftësitë e tij të sofistikuara zanore në kohë reale. Ajo gjithashtu promovoi përparimet e kompanisë në projekte të reja si SearchGPT, një motor kërkimi, dhe Sora, një model i ri për gjenerimin e videove nga teksti. Murati madje pati një prezantim në Met Gala të Muzeut Metropolitan të Artit, ku foli për chatbot-in e OpenAI, i cili tashmë është pjesë e muzeut.
Megjithatë, disa nga komentet e Muratit kanë shkaktuar polemika. Kur u pyet për burimet e të dhënave të modelit Sora, ajo dha përgjigje evazive, duke mos mohuar apo konfirmuar përdorimin e të dhënave të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Në qershor, Murati provokoi një reagim të fortë kur tha se AI do të zëvendësonte disa punë krijuese që, sipas saj, "nuk duhet të kishin ekzistuar në radhë të parë."
Këto komente kanë ndikuar në perceptimin publik të OpenAI, duke bërë që viti i fundit të jetë sfidues për kompaninë. Pavarësisht kësaj, Murati dhe ekipi i saj vazhdojnë përpara me zhvillimin e modeleve të ardhshme të inteligjencës artificiale, përfshirë një model të ri që pritet të arrijë nivelin e inteligjencës së një studenti doktorature për disa detyra specifike brenda vitit të ardhshëm./ ZËRI