
TIRANË- Gazetari i njohur i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, do të dalë këtë vit në pension. Biberaj shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Zërin e Amerikës, ku punoi për një periudhë 43-vjeçare.
Vetë gazetari ka ndarë lajmin me anë të një letre, ku njofton se më 31 dhjetor të këtij viti del në pension.
"Sot, i njoftova kolegët e mi të VOA-s se kam vendosur të dal në pension nga Zëri i Amerikës, efektivisht në 31 dhjetor 2023. Ka qenë nderi dhe privilegji më i lartë i jetës sime që të punoj për transmetuesin ndërkombëtar më të shquar dhe më me ndikim në botë. Do të jem përgjithmë mirënjohës VOA-s për mundësitë që më dha,"-shkruan gazetari.
Biberaj ka shërbyer në shumë pozicione por do të mbahet mend më shumë për periudhën 1986-2004, kur shërbeu si Shef i Programit të Gjuhës Shqipe. Drejtues për gati dy dekada i Divizionit të EuroAzisë, ai shërbeu edhe si Drejtor i Përkohshëm i ‘Zërit të Amerikës’ në periudhën e vështirë qershor-dhjetor 2020, deri sa u kapërcye situata e konfliktit mes institucionit të njohur dhe administratës amerikane të kohës.