Qytetërim

PROFIL/ Vladimir Prifti, regjisori i 40 viteve karrierë: "Skëndërbeu" më mbeti në gjysmë, s'kishim fonde...

Filmi “Skënderbeu” pas jehonës që pati në Shqipëri u shfaq dhe në Amerikë, por Prifti rrëfente se i kishte mbetur në gjysmë pasi nuk ka pasur buxhet për dokumentarët.

F.m
PROFIL/ Vladimir Prifti, regjisori i 40 viteve karrierë:
Vladimir Prifti

TIRANË- Vladimir Prifti, regjisori i filmave të paharrueshëm, iku sot duke lënë pas një karrierëmbi 40-vjeçare në kinematografinë shqiptare. Prifti lindi në Tiranë, më 1 qershor të vitit 1942.

Ai u diplomua në shkollën e lartë për aktorë, “Aleksandër Moisiu” dhe e nisi karrierën në Teatrin Popullor ku luajti disa role dytësore. Drama “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit (1968), bëri që Vladimiri të spikaste dhe pas disa përvojave si asistent regjisor, në vitin 1974 nisi zyrtarisht pranë TVSH-së. Romani i Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976) u shndërrua në shfaqjen teatrale me gjuhën më të veçantë nga Prifti.

Filmi i tij i parë artistik ishte “Udha e shkronjave” (1978), i cili përfaqëson dhe kulmin e Vladimirit Priftit si regjisor. Pas këtij filmi, ai u nderua me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikës të klasit të pare.

“Kur hidheshin themelet” (1978), “Lulet e Shegës” janë gjithashtu dy prej filmave që mbajnë emrin e Priftit.

“Kush vdes në këmbë” (1985) ishte filmi i tij i parë që u prodhua në kinostudion “Shqipëria e re” që në qendër figurën e Petro Nini Luarasit.

“Era e ngrohtë e thellësive” (1982) dhe “Dhe vjen një ditë” ishin dy filmat që prezantuan dramën e fshehur pas jetës së përditshme të jetës në minierë dhe të kërkimit të një standarti më të mirë.

“Dhe vjen një ditë” ishte gjithashtu filmi me të cilin kinematografia shqiptare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias (1987).

Në vitin 1988, Prifti realizoi filmin “Flutura në kabinën time” që u bë fitues i çmimit të dytë në Festivalin VIII të Filmit Artistik. “Dasma e Sakos” (1998), është gjithashtu një film, fitues i disa çmimeve.

Vladimir Prifti ka marrë dhe titullin “Artist i merituar”. Ai ka realizuar edhe dokumentarë, përmendim këtu: “Butrinti”; “Të bekuarit”, “Legjenda e baltës”, si dhe “Rruga Egnatia”. Prifti mbante edhe rolin e pedagogut te jashtëm ne Akademinë e Arteve dhe në Shkollën e Multimedias “Marubi”.

Filmi “Skënderbeu” pas jehonës që pati në Shqipëri u shfaq dhe në Amerikë, por Prifti rrëfente se i kishte mbetur në gjysmë pasi nuk ka pasur buxhet për dokumentarët.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2015, “Mjeshtri i madh” shprehej se filmi në Shqipëri është abandonuar, që nuk merr vëmendjen e duhur nga Ministria e Kulturës dhe nuk ka fonde të mjaftueshme, gjë që vështirëson prodhimin.

“Që kur u krijua QKK mungesa e shkrimtarëve të filmit ka ardhur, duke u vakur. Sot pothuajse nuk i gjen më ato shkrimtarë, që dikur kanë shkruar skenarë për shumë filma, si nga Teodor Laço, Naum Prifti, Vath Koreshi, Kiço Blushi, etj. Disa janë ndarë nga jeta, por nuk lanë dhe një përvojë të tyre. Mungesa e shkrimtarit të filmit është e madhe. Tjetër problem, duke qenë dhe buxhete të ulëta një pjesë e të rinjve i shkruajnë vetë skenarët, dhe kjo sjell një lloj vakësie, pamundësie për ta kërkuar temën interesante,”- thoshte Prifti. 

“Unë vetë kam bërë tre filma historikë “Kush vdes në këmbë” (1985); e bëra sepse e kisha më të lehtë ti rrëshkisja atij këndvështrimi ideologjik, apo filmin “Udha e shkronjave” (1978). Për filmat e mi unë punova me shkrimtarë, dhe e çmoj punën time që kam bërë me shkrimtarët. Kam vuajtur kur gjeta subjektin e filmit “Flutura në kabinën time”, duket i thjeshtë, por brenda kishte emocione që dhe sot i gjen. Një mësuese fshati sakrifikon nga jeta e vet, që shkon në fshat të largët, dhe nuk çmohej aq shumë ndjesia e saj, dashuria e saj, dhe kjo çmohet nga një shofer, që shikon tek ajo jo vetëm dashurinë por dhe brishtësinë, atë që ai s’e ka pasur në jetën e vet,”- vijonte ai.

Prifti la pas dy fëmijët e tij, Klejdi dhe Bora, të cilët jetojnë në Itali. Me bashkëshorten e tij, Rajmonda Prifti, Ladi u njoh rastësisht në Teatrin Kombëtar, ku ai punonte ato vite si aktor dhe regjisor, dashuri që vijoi deri në ditën e fundit të jetës së tij... 

Poll

MOS HUMB