SHBA- Regjisori i njohur Christopher Nolan ka zbuluar arsyen prekëse që e shtyu të realizonte filmin e tij më të ri, "The Odyssey", dhe ajo lidhet me qenin e tij, Charlie.
Me një kast yjesh të udhëhequr nga Matt Damon në rolin e Odiseut, filmi sjell në ekran epikën e Homerit mbi udhëtimin e mbretit të Itakës për t'u rikthyer te familja e tij pas Luftës së Trojës.
Gjatë një interviste për BBC Radio 1, Nolan tregoi se të qenit pronar i një qeni e bëri edhe më prekës për të episodin e ribashkimit të Odiseut me qenin e tij besnik, Argosin.
Në poemën epike, kur Odiseu kthehet më në fund në Itakë, i maskuar si lypës, ai ribashkohet me qenin e tij të vjetër të gjuetisë, Argosin, i cili e kishte pritur besnikërisht për vite me radhë. Pak çaste pasi e njeh të zotin, Argosi mbyll sytë përgjithmonë, në një nga skenat më emocionuese të veprës.
"Si pronar i ri i një qeni – nuk jam rritur me qen dhe, megjithëse fëmijët e mi më janë lutur për vite me radhë, nuk morëm një qen derisa ata shkuan në universitet, gjë për të cilën ende janë pak të zemëruar – arrita te pjesa me Argosin dhe ajo më preku thellë", u shpreh Nolan.
Regjisori pranoi se pikërisht kjo skenë ishte një nga arsyet kryesore që e bindi të merrte përsipër realizimin e filmit.
"Kur arrita te pjesa me Argosin, më rrëzoi emocionalisht. Sinqerisht, kjo ishte një nga arsyet kryesore pse e dija se duhej ta bëja këtë film", tha ai.
Gjatë intervistës, gazetari Ali Plumb vuri në dukje se edhe qeni i aktorit Matt Damon quhet Charlie. Nolan iu përgjigj me humor: "Kështu qenka e destinuar të jetë!"
Filmi është prodhuar nga Christopher Nolan dhe bashkëshortja e tij, Emma Thomas. Krahas Matt Damon, në kast bëjnë pjesë edhe Anne Hathaway, Tom Holland, Robert Pattinson, John Leguizamo dhe Zendaya./ZËRI