
PIRE- Besnik Hasi kthehet te klubi ku nisi karriën si trajner, për ta zhvendosur më 26 maj 2016 drejt përvojave të tjera, si Legia e Varshavës, Olimpiakosi i Pireut, Al Raedi, Al Ahli dhe KV Mesheleni (KV Mechelen), derisa u shkëput në 3 marsin e këtij viti. Më 20 mars ai nënshkroi sërish me Anderlehtin.
Hasi do të drejtojë ekipin e Anderlehtit (Anderlecht) deri në fund të sezonit. Kontrata parasheh mundësi rinovimi edhe për një ose dy vite të tjera.
Hasi, përpara se të zgjidhte klubin e Brukselit, përflitej për negociata me Serkël Bruzhin (Cercle Brugge), megjithatë ai la të kuptohej për një zgjedhje me bazë njohjen e mirë të mjedisit sportiv të Anderlehtit.
Te Anderlehti, Bensik Hasi ka patur edhe përvojën e tij më të mirë të trajnimit, me një mesatare pikësh 1.85 për ndeshje (më e larta e klubeve që ka drejtuar) për 119 ndeshje, nga 10 maj 2014 deri më 26 maj 2016.
Sa i takon mjedisit sportiv të Anderlehtit, duhet thënë se Besnik Hasi, edhe pa qenë trajner i parë, aty ka qenë edhe 5 vjet si ndihmës trajner, 148 ndeshje si asistent i Ariel Xhekobsit dhe 95 ndeshje si asistent i Xhon Van der Bromit dhe një periudhë si trajner i ekipit U19.
Anderlehti momentalisht është 17 pikë larg Genkut kryesues në garën për titull, i renditur i katërti. Mirëpo futbolli belg i përgjysmon pikët dhe luhet me play off mes 6 të parave. Ndeshjen e parë play off Anderlehti i Hasit do ta ketë me Klub Bryzhin menjëherë pas angazhimeve të përfaqësueseve kombëtare. Me përgjysmimin e pikëve, 8 pikë është diferenca mes Anderlehtit dhe Genkut./ZËRI