Qytetërim

Çrregullimet mendore dhe obeziteti kërcënojnë adoleshentët, parashikime të zymta deri në vitin 2030

Hulumtimet e botuara në "The Lancet" tregojnë se shëndeti i adoleshentëve është në një “moment kritik".

k.m.
Çrregullimet mendore dhe obeziteti kërcënojnë
Foto ilustruese

TIRANË- Këmbana e alarmit po bie për shëndetin mendor dhe obezitetin që po kërcënon gjithnjë e më shumë adoleshentët. Hulumtimet e botuara në "The Lancet" tregojnë se shëndeti i adoleshentëve është në një “moment kritik". Sipas studimeve, deri në vitin 2030, të paktën gjysma e adoleshentëve në botë do të jenë në rrezik për probleme serioze shëndetësore në shumë fusha.

Çrregullimet mendore dhe obeziteti kërcënojnë

Raporti i dytë i Lancet mbi Shëndetin dhe Prosperitetin e Adoleshentëve thekson se adoleshentët e sotëm, brezi i parë që rritet në kushte më të vështira klimatike dhe praninë e përhapur të teknologjive dixhitale, përballen me kërcënime globale shëndetësore. Në raport zbulohet se gjatë dekadës së fundit, progresi në shëndetin dhe mirëqenien e adoleshentëve ka qenë i përzier dhe i pabarabartë. Ndërsa normat globale të pirjes së duhanit dhe konsumit të alkoolit kanë rënë dhe pjesëmarrja në arsim, veçanërisht midis grave të reja, është rritur. Po ashtu, sëmundjet dhe çrregullimet e shëndetit mendor që lidhen me obezitetin po shtohen në të gjitha rajonet.

Obeziteti është rritur me tetëfish

Mbipesha dhe obeziteti janë rritur tetëfish në disa vende afrikane dhe aziatike gjatë tre dekadave të fundit, ndërsa parashikimet tregojnë se në vitin 2030, 464 milionë adoleshentë në të gjithë botën do të jenë mbipeshë ose obezë (143 milionë më shumë se në vitin 2015). Në fushën e shëndetit mendor, parashikohet se deri në vitin 2030, 42 milionë vjet jetë të shëndetshme do të humbasin për shkak të çrregullimeve mendore ose vetëvrasjeve (dy milionë më shumë se në vitin 2015). Deri në vitin 2030, vlerësohet se më shumë se një miliard adoleshentë në botë, të moshës 10-24 vjeç, do të jetojnë ende në vende ku problemet që parandalohen dhe kurohen, siç janë HIV/AIDS, shtatzënia e hershme, depresioni, do të kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien e adoleshentëve.

Së fundmi, raporti nënvizon se tranzicioni dixhital u ofron adoleshentëve mundësi të reja për arsim, punësim, promovim shëndetësor dhe ndërveprim shoqëror. Megjithatë, shumë përvoja kyçe sociale dhe emocionale tani po ndodhin në internet, gjë që ngre shqetësime për dëmin e mundshëm për rritjen dhe mirëqenien e adoleshentëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB