
TIRANË-Një ditë nga publikimi i pamjeve të reperit Arkimed Lushaj, ku shihet duke kryer një kundërvajtje rrugore, Policia e ka ndëshkuar. Policia Rrugore i ka vendosur Stresit gjobën prej 25,000 lekësh të reja dhe i ka zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit për parakalim në sens të kundërt dhe përdorim të dritave verbuese në zonë të banuar.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet automjeti me drejtues shtetasin A. L., duke parakaluar një varg automjetesh në sensin e kundërt të lëvizjes dhe duke përdorur dritat verbuese në zonë të banuar, në aksin rrugor "Elbasan-Bradashesh", ju informojmë se: Sektori i Policisë Rrugore i ka vënë drejtuesit të automjetit, shtetasit A. L., masën administrative 25 000 lekë, bazuar në nenet 146 pika 16, 141 pika 10, 146 pika 10 dhe 127 pika 3, të Kodit Rrugor. Gjithashtu, i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit.
Në videon e publikuar reperi shihej teksa nget makinën në kahun e kundërt të trafikut, teksa shmang dhjetëra mjete të tjera që janë bllokuar. Edhe pse në kundërvajtje Stresi i bën shenjë me drita shoferëve që i vijnë përballë që t’i hapin rrugën, duke rrezikuar jetën e tyre, pasi mund të përplasej./ZËRI