
PARIS - Viti 2023 do jetë viti më i nxehtë se çdo vit tjetër i regjistruar. Kështu kanë deklaruar shkencëtarët, përpara një samiti të rëndësishëm të klimës këtë muaj.
“2023 me siguri do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë dhe aktualisht është 1.43 gradë celcius mbi mesataren e vitit më të nxehtë që është shënuar në tokë”, tha Samantha Burgess, zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus.
Shkencëtarët e Copernicus zbuluan se muaji i kaluar ishte tetori më i nxehtë i regjistruar në botë, me temperatura 1.7 gradë celcius mbi atë që mendohej se ishte tetori më i nxehtë, gjatë viteve 1800.
Duke djegur lëndët djegëse fosile dhe duke shkatërruar natyrën, njerëzit kanë pompuar gazra, që kanë rritur temperaturën e planetit me 1.2 gradë celcius, që nga Revolucioni Industrial.
"Fakti që ky vit ishte shumë i nxehtë dhe theu rekorde, përkthehet në vuajtje më të mëdha njerëzore", tha Friederike Otto, një shkencëtare klimatike nga Imperial College London. “Brenda këtij viti, valët ekstreme të të nxehtit dhe thatësirat e përkeqësuara shumë nga këto temperatura ekstreme kanë shkaktuar mijëra vdekje, njerëz që kanë humbur mjetet e jetesës, janë zhvendosur etj. Këto janë të dhëna që kanë rëndësi.
Kjo është arsyeja pse marrëveshja e Parisit është një traktat për të drejtat e njeriut dhe mosmbajtja e qëllimeve të saj, është shkelje e të drejtave të njeriut në një shkallë të gjerë”, tha Otto.
Në një samit në Paris tetë vjet më parë, liderët botërorë premtuan se do të përpiqen të ndalojnë ngrohjen e planetit me 1.5 gradë celcius deri në fund të shekullit.
Akshay Deoras, një shkencëtar i kërkimit të meteorologjisë në Universitetin e Reading, tha se ngrohja globale fatkeqësisht ka dhënë shumë efekte negative. "Tetori i vrullshëm i vitit 2023 është një shembull tjetër fatkeq që tregon se si rekordet e temperaturave po thyhen me një diferencë të madhe. Ngrohja globale, për shkak të rritjes së emetimeve të gazeve serrë dhe fenomenit El Niño në Oqeanin Paqësor tropikal, po e godet planetin", tha Deoras.
Vapa rekord muajin e kaluar i la shkencëtarët të habitur. Ka gjasa që temperaturat ekstreme të jenë nxitur nga një përzierje e fuqishme e ndotjes së gazit serrë, nga fenomeni El Niño dhe ka dhe disa faktorë të tjerë si ndotja nga squfuri dhe një shpërthim vullkanik në Tonga.
Organizata Copernicus tha se është fatkeqësi që rekordet e temperaturave thyhen.
“Është e frikshme të shohësh se temperatura globale që nga qershori 2023 është shumë më e ngrohtë se ajo gjatë gjysmës së dytë të 2015, kur El Niño ishte shumë më i fortë”, tha organizata. “Planeti ynë vazhdon të kalojë nëpër pika fatkeqe në historinë e tij meteorologjike dhe nuk do të jetë befasuese të shohim rekorde të reja në muajt në vijim”, shtoi organizata e shkencëtarëve, Copernicus.
Të mërkurën, Organizata Botërore Meteorologjike tha se El Niño aktual pritej të zgjaste të paktën deri në prill 2024. Meqenëse efektet e një El Niño zakonisht shfaqen vitin pas formimit të tij, ekspertët thonë se ka të ngjarë që viti 2024 të jetë edhe më i nxehtë.
Copernicus zbuloi se temperatura mesatare globale midis janarit dhe tetorit 2023 ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në Tokë. Ajo mundi mesataren 10-mujore për 2016 - mbajtësin aktual të rekordit për vitin më të nxehtë - me 0.1 gradë celcius.
Richard Allan, një shkencëtar i klimës në Universitetin e Reading, tha: “Vetëm me shkurtime të shpejta dhe masive në emetimet e gazeve serrë, në të gjithë sektorët, mund të shmangim këto fenomene të përsëritur të ngrohjes në nivele rekord. Më e rëndësishmja është që të shmangim ekstremitetet e të ftohtit dhe të nxehtit, pasi pasojat janë të mëdha”, deklaroi shkencëtari./Zëri.ai/