KOSOVË- Shkoi për aheng dhe gëzim por mbrëmja nuk përfundoi mirë për këngëtarin Shpat Kasapi. Mbrëmjen e djeshme në restorantin “Grand Events” në Shkabaj, dasma u kthye në një skenë dhune. Shpat dhe Albin Kasapi pretendojnë se janë sulmuar fizikisht nga Feim, Bledar dhe Blerim Kicaj, përkatësisht, 62-36-29 vjeç. Njëri prej tyre mendohet se është dhëndri.
Pas marjes së denoncimit, me urdhër të prokurorit, Feim Kicaj është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa Bledar dhe Blerim Kicaj janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet më tej nga autoritetet kompetente. Njërit prej të lënduarve i është dhënë ndihma mjekësore, por nuk bëhet me dije nëse është fjala për këngëtarin apo për shoqëruesin e tij.
Megjithatë, bashkë me agresorët edhe ata janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje. Edhe pse ngjarja është bërë mediatike, sërish nuk ka asnjë reagim nga ana e këngëtarit Kasapi për sqarimin e ngjarjes dhe shpjegimin e asaj që ka ndodhur.
Shpat Kasapi është këngëtar i njohur shqiptar, i lindur në Tetovë më 1985. Ai është i njohur për zërin dhe stilin që kombinon muzikën pop me elemente tradicionale ballkanike. Karrierën e nisi që në moshë të re dhe ka fituar shumë çmime në festivale të ndryshme. Ai ka publikuar shumë hite të njohura që janë pëlqyer gjerësisht në Ballkan./ZËRI