
TIRANË – Shqipëria ka shkruar historinë për herë të dytë, duke u kualifikuar në Europianin e Gjermanisë. Ekipi ynë kombëtar barazoi 1:1 në Moldavi, por se tashmë është zyrtarisht në Europian. Në lidhje me këtë kualifikim historik, kanë reaguar edhe politikanët e vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook, ka postuar shqiponjën dhe renditjen e grupit, ku Shqipëria është në krye.
“Faleminderit kuqezinjve për këtë dhuratë fantastike”, shkruan Rama.
Presidenti Bajram Begaj shkruan përmes një postimi se Kombëtarja sot arriti të gëzojë një komb të tërë.
“Faleminderit kombëtares për emocionet e dhuruara dhe urime për kualifikimin e merituar në Euro 2024!”, shkruan Begaj.
Edhe lideri demokrat Sali Berisha ka uruar Kombëtaren për kualifikimin. Berisha shprehet se merita të veçanta në këtë kualifikim ka trajneri Silvinho.
“Për së dyti kuqezinjtë bëjnë historinë! Lojë e bukur, barazim me Moldavinë. Kuqezinjtë pas fitoreve të tyre të mrekullueshme shkojnë me dinjitet, krenarë, të sigurt për suksese të reja në Gjermani. Urimet më të përzemërta të gjithë ekipit, yjeve të tij, kapitentit, liderit të tyre Sylvinho, arkitekt i kësaj arritje historike. Urime! #sb”, shprehet Berisha.
Për kualifikimin e Kombëtares Shqiptare në Euro 2024, ka reaguar edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili shkruan se kjo arritje historike gëzon zemrën e çdo shqiptari.
"Një kualifikim historik që bën krenar dhe gëzon gjithë kombin shqiptar. Urimet më të përzemërta shqiponjave kuqezi, trajnerit, stafit dhe në veçanti tifozëve të mrekullueshëm për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Jam besimplotë që shkëlqimi dhe entuziazmi i Kuqezinjve tanë do të jetë po aq i jashtëzakonshëm në Kampionatin Europian, kualifikimi në të cilin është plotësisht i merituar", thotë Meta në reagimin e tij.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për kualifikimin e Shqipërisë në Europian. Kurti ka uruar lojtarët për këtë arritje historike. “Shqipëria kalon. Festë e madhe, që do vazhdojë në Euro 2024. Për herë të dytë në histori. Pas Francës, tashmë drejt Gjermanisë. Urime lojtarëve, gëzuar të gjithëve”, shkruan Kurti.
Shqipëria barazoi në Moldavi 1:1, por arriti të kualifikohet në Euro 2024, pasi është në krye të grupit me 14 pikë. /Zëri.ai/