
ROMË-Për merkaton verore të Lacios diçka dihet me siguri, profili i një mesfushori sulmues do të jetë ky: i ri, ambicioz dhe premtues për shumëfishim të vlerës së kartonit të tij falë mbështetjes së klubit. Më parë kishte dalë emri i një lojtari, për të cilin Lacioja prej kohësh kishte paraqitur interes dhe e kishte humbur një garë me Leisesterin, për të siguruar firmën e marokenit. Bilal El Kanusi është emri. Ai duket i pakënaqur nga kalimi prej Genkut te Leisesteri. Mirëpo, për klubin belg, shifra 20-milionëshe vulosi gjithçka.
Jo më larg se dje doli një emër tjetër që menjëherë në gjirin e tifozëve lacialë gjeti pëlqim. Argjentinasit te bardhekaltrit, jo vetëm për ngjyrat, por edhe për historikun e shkëlqyer të sukseseve, priren të priten me një pozitivitet të shtuar. Emri i Eçeverrisë, ish-kapitenit të kombëtares argjentinase U20, njeri ndër talentet më të mëdha të viteve të fundit të shkollës River Plejt, që nuk po gjen hapësirë te Mançester Siti, është emri i sapodalë.
Dje, në edicionin online të Corriere della Sera në Romë, u shkrua se Eçeverri është parë në një restorant shumë pranë qendrës sportive të Formellos, çfarë e konfirmon interesimin e Lacios për talentin e ri. Këtë fakt e konfirmuan edhe vetë rrjetet sociale të restorantit, ku menaxherët patën pozuar me talentin e madh dhe fotot e fanellave laciale në sfondin e pasmë. Për merkaton verore të Lacios u fol edhe për rikthimin e Kiezës nga Liverpuli, por rroga e tij 7-milionëshe është tërësisht jashtë stilit dhe përmasave laciale të kontratave, çfarë e le këtë zë në heshtje./ZËRI