
GJERMANI- Ka ardhur dënimi i dytë për Federatën e Futbollit të Kroacisë në Kampionatin Evropian. UEFA urdhëroi kroatët të paguajnë gjithsej 28 mijë euro për shkak të shpërthimeve të flakadanëve në ndeshjen me Shqipërinë. Për ndezjen e pishtarëve, Federata kroate do duhet të paguajë 17.500 euro, ndërsa për hedhjen e sendeve të forta në fushë, 10.500 euro.
Deri më tani nuk ka asnjë dënim për fyerjet raciste apo diskriminuese të tifozëve, edhe pse vetëm 2 ditë më parë UEFA njoftoi se kishte nisur procedimin disiplinor ndaj Kroacisë për thirrjen "Vriteni Serbin" në ndeshjen e Hamburgut.
Kroatët kanë paguar 87,875 euro për shkak të incidenteve të tifozëve në ndeshjen kundër Spanjës, pasi hodhën gota plastike dhe flakadanë në fushë. Këto sjellje të përsëritura të tifozëve u kanë kushtuar deri më tani 115,875 euro./ZËRI