TIRANË- Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka zgjedhur filmin “Pikë uji” të regjisorit Robert Budina si përfaqësuesin zyrtar të Shqipërisë për çmimet Oscar. Pas thirrjes së hapur nga QKK, shtëpia kinematografike ERA FILM aplikoi me filmin artistik me metrazh të gjatë "Pikë Uji". Komisioni e votoi unanimisht kandidaturën për të përfaqësuar Shqipërinë në kategorinë prestigjioze "International Feature Film" në edicionin e 97-të të Çmimeve Oscar.
"Pikë uji" sjell një pasqyrim të thellë të dramave të shoqërisë shqiptare, ndërhyrjes së politikës në çështjet më delikate dhe sfidave të një nëne për të mbrojtur të birin e saj.
Historia ka në qendër rrugëtimin e Aidës, një zyrtare me shumë pushtet në bashkinë e një qyteti të vogël, e cila gjendet papritur në një situatë dramatike në familjen e saj. I biri Marku është arrestuar i akuzuar si përdhunues i shoqes së tij të klasës.
Duke shfrytëzuar pushtetin dhe paratë, Aida përpiqet me dëshpërim të shpëtojë djalin por gjendet shpejt në vorbullën e korrupsionit që vetë ka ngritur në institucionin ku sundonte. Filmi na përball me dilema të shumta ndër të cilat dhe më kryesorja se deri ku mund të shkojë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj pavarësisht përmasave të krimit të kryer?
Personazhi kryesor Aida, shfaqet në rrugëtimin e saj kur ngjit shkallët e pushtetit, duke sakrifikuar gjithçka njerëzore. Nis të kujtohet se për para e pushtet kishte lënë vetë ti shkatërohej qetësia, ëndrra, dinjiteti, dashuria e tani ndjen t’i shembet toka nën këmbë kur sheh të birin pas hekurave të akuzuar për përdhunim.
Megjithatë, Aida, përpiqet dhe kërkon me ngulm të besojë se i biri Marku është i pafajshëm, pavarësisht dëshmive që e provojnë fajësinë e tij. Ajo e kërkon fajin tek bashkëpunëtori i saj në korrupsion. Ka kuptuar se Denisi, i biri i kryetarit të bashkisë është gjithashtu bashkëpunëtor në përdhunim me Markun.
Por Aida nuk ia del dhe detyrohet t’i nënshtrohet pushtetit të kryetarit. Ndër momentet pikante të filmit është kur Beni, dashuria që kishte braktisur për pushtet e para, shfaqet i akullt përballë dramës së Aidës. Ai hyn në skenë si prokuror për të vendosur fatin e djalit të saj.
Fundi i filmit nuk jep drejtësinë që triumfon, përkundrazi. Budina e lë të hapur skenarin që secili shikues ta përcaktojë vetë fatin e secilit personazh; viktimës, vajzës së përdhunuar, Makut dhe shokut të tij autorë të krimit; fatin e Aidës dhe rrugën që ajo do të zgjedhë pasi ka njohur fuqinë e pushtetit të korruptuar dhe ka parë veten viktimë të tij./ ZËRI