
SUEDI- Zvicra ka triumfuar në edicionin e 68-të të Festivalit Evropian të Këngës i përfaqësuar nga këngëtari Nemo me këngën e tij “The Code” që u zhvillua në Malmo të Suedisë.
Zvicra arriti të merrte 365 pikë nga votat e jurisë, ndërkohë iu shtuan 226 pikë nga votat e publikut duke bërë që këngëtari Nemo të merrte në total 591 pikë. Po ashtu edhe Shqipëria e vlerësoi me 12 pikë (pikët maksimale) Nemon e Zvicrës me këngën e tij "The Code".
Vendin e dytë të “Eurovision 2024” e zuri Kroacia dhe të tretin, Franca. Vetë Nemo u shfaq tejet i emocionuar teksa u ngjit për të marrë çmimin në skenë.
“Jam shumë i emocionuar, nuk kam fjalë, dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët, shpresoj që ky konkurs të vazhdojë të qëndrojë për paqen”, u shpreh këngëtari.
I lindur në vitin 1999 në Biel, një qytet i vogël në Zvicër, Nemo ka luajtur në violinë, piano dhe bateri që kur ishte fëmijë i vogël.
Ukraina, Kroacia, Izraeli, Irlanda, Italia dhe Franca u vlerësuan gjithashtu nga publiku, por vendi që arriti të votohet më shumë nga publiku dhe juria ishte Zvicra me këngëtarin “Nemo” duke bërë që të triumfojë në këtë edicion të Eurovizionit. Ndërsa vendi që mori zero pikë nga publiku ishte Mbretëria e Bashkuar.
Pas Zvicrës u renditën Kroacia, Ukraina, Franca dhe Izraeli për të vijuar më pas me listën e 26 vendeve pjesëmarrëse në finale.
Zvicra ka marrë pjesë në festivalin Evropian të Këngës që prej vitit 1956, duke fituar edicionin e parë të konkursit në atë vit. Zvicra ka marrë pjesë në "Eurovision Song Contest" 63 herë që nga debutimi i saj në vitin 1956, ndërsa ka munguar vetëm në vitin 1995, 1999, 2001 dhe 2003.
Gjithashtu, Zvicra arriti të fitonte edhe në "Eurovision Song Contest" në vitin 1988 me “Ne Partez Pas Sans Moi” të Celine Dion. Kryesisht e panjohur në Evropë në atë kohë, Céline Dion dha një interpretim të jashtëzakonshëm të këngës, duke fituar konkursin për Zvicrën, vetëm një pikë përpara Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa sot ishte Nemo ai që e ngriti Zvicrën majë Eurosong-ut me këngën “The Code”.
Ndërkaq, Shqipëria mori pjesë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit me Besa Kokëdhimën dhe këngën e saj “Titan” por nuk arriti të shkonte në finale aty ku Zvicra arriti të rrëmbejë çmimin e madh të këtij edicioni.
Festivali i këtij viti u zhvillua me protesta të shumta në mbrojtje të Palestinës, ndërkohë që Holanda u përjashtua nga finalja për shkak të një incidenti që ndodhi pas skenës.
/ZËRI