
TIRANË- Hasmëria mes fisit Bajri dhe Licve në Shkodër nuk mbahet mend kur ka filluar dhe po aq i paqartë është fundi! Ndër vite, dy familjet më në zë për Policinë e Shkodrës kanë pasur marrëdhënie herë të paqta, madje dhe me lidhje kumbarie me njëri-tjetrin, herë të tjera ishin në luftë…dhe kjo nuk ishte një sekret.
Kulmin këto përplasje e kapën në vitin 2018 ku për herë të parë qyteti mund të krahsohej lirisht me Palermon. U vendos rekord! Në 2 muaj kishte 6 të vrarë me armë zjarri dhe 2 të zhdukur. Kaq ishin për sezonin e verës por numri i kufomave vetëm sa shtohej! Në qendër të përplasjeve ishin dy fiset Lici-Bajri, përplasje që duket se vijojnë edhe sot me ekzekutimin e më të heshturit të familjes, Hamza Licit.
Pasditen e tetorit, Hamza Lici, më i vogli i familjes, vetëm 23 vjeç, po udhëtonte në Dobraç të Shkodrës bashkë me Arlind Bushatin, djalin e ish-kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie, Xhemal Bushati, kur rruga iu pre nga një mjet brenda të cilit ndodheshin tre killera.
Nga informacionet e marra deri më tani bëhet me dije se killerat kishin ardhur nga Mali i Zi dhe shënjestrën e kishin mjaft të qartë, automjetin ku ndodhej Lici e Bushati, me targa kroate.
Të dy mbetën të vdekur nga breshëria me 50 plumba që e bëri këtë ngjarje t’i përngjante një masakre.
Por ajo që për bandat mund të jetë një dëm anësor, ishte një grua që po kthehej nga puna e saj bashkë me të shoqin. Flutura Basha ndërroi jetë pasi u përplas nga mjeti ku ndodhej Lici e Bushati, në momentin që 23-vjeçari humbi kontrollin pasi u qëllua me breshëri plumbash. Bashkëshorti i saj, Bashkim Basha, ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Për 150 metra dhe për 70 sekonda, dy persona kanë qëlluar pa pushim drejt mjetit "Benz" me targa kroate duke ekzekutuar në vend Licin. Bushati, i cili vdiq disa orë më pas në spital, tentoi që t'u kundërpërgjigjej me 3 pistoletat që kishin në makinë por nuk ia doli që të ndalte "shiun" e plumbave që po qëllohej drejt tyre.
Pasi ishin të sigurtë që punën e kishin kryer me sukses, autorët morën rrugën për në Koplik, ku në Grudë të Re i vunë zjarrin mjetit, bashkë me armët brenda. Aty, besohet se një tjetër person i ka marrë dhe i ka dërguar në një strehë. Por se ku kanë shkuar, i mbetet Policisë që ta zbulojë.
Deri më tani uniformat blu kanë në duar pamjet e kamerave të sigurisë, armët dhe makinën e djegur.
Ata gjithashtu kanë shoqëruar për të marrë në pyetje edhe Safet Bajrin, i cili ka hedhur poshtë çdo dyshim. Safet Bajri ka deklaruar se ndodhej në shtëpi me familjen e tij në momentin që ndodhi atentati, gjë që sipas tij, mund të verifikohet edhe nga kamerat e sigurisë që ka në banesë.
Por me orët që kalojnë, një tjetër version po qarkullon. Ajo që bëhet me dije është se në automjet me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin ndodhej edhe një person i tretë. Por se kush është dhe a ka shpëtuar paq nga plumbat, kjo ende nuk dihet. Deri më tani, dyshimet janë se bëhet fjalë për Ibrahim Licin, por ky version nuk është i konfirmuar.
Masakra e radhës në Shkodër ka lënë pasiguri, frikë dhe terror tek banorët e zonës, ndërsa autoritetet vijojnë me procedurat bazike të çdo ngjarjeje. Të dyshuar që pyeten me radhë në komisariat, kamera që studiohen, por asnjë emër autori nuk është zbuluar ende.
Fakt është që Bushati ishte kërcënuar me armë zjarri pak kohë më parë, ngjarje të cilën e denoncoi në polici duke pretenduar se ishte kërcënuar me armë zjarri nga dy persona që nuk i kishte identifikuar dot.
Por, kjo nuk është hera e parë që familja "Bushati" ka probleme me në Shkodër, edhe pse më së shumti janë të njohur për angazhimin e tyre në politikë. Të atit të të plagosurit, Xhemal Bushatit iu vendos tritol në një bizneset e tij në Shkodër në mars të vitit 2022. Në pamjet e një kamere sigurie asokohe u dallua vetëm një person, të cilët i vendosën lëndën plasëse biznesit. Por edhe sot e kësaj dite nuk është vendosur në pranga nga Policia e Shtetit.
A është ky vijimi i përplasjes mes dy fiseve Bajri dhe Lici apo po lindin përplasje të reja dhe a ishte Hamza Lici shënjestra apo Arlind Bushati, kjo gjë u mbetet autoriteteve që ta zbulojnë./ZËRI/