TIRANË- Pesë persona morën peng për disa orë një 27-vjeçar në Tiranë dhe e dhunuan fizikisht në një apartament. Dy prej tyre u vunë në pranga, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre edhe dy vajza. Njëra prej tyre, bëhet fjalë për të dashurën e 27-vjeçarit, e cila ishte njëkohësisht në një lidhje me njërin prej pengamarrësve. Ky i fundit, është edhe ideatori i pengmarrjes, i cili pasi zbuloi se e dashura fliste me mesazhe me 27-vjecarin, ranë dakord që t’i merrnin atij para. Por, përveç të dashurës, në lojë ka hyrë edhe një vajzë tjetër, e cila është kujdesur që përmes mesazhe të mashtronte dhe të çonte 27-vjeçarin në vendin ku kishin planifikuar ta dhunonin dhe presiononin për 5 mijë euro. I riu ka pësuar dëmtime fizike për shkak të dhunës së ushtruar dhe është paraqitur në spital. Kanë qenë mjekët ata të cilët njoftuan më pas policinë, ndërsa i riu ka deklaruar detajet që bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, mësohet se dhënia e parave prej 5 mijë eurosh për herë të dytë u bë me anë të stimulimit për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës./ZËRI