
TIRANË- Kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka është vënë në pranga me urdhër të SPAK. Së bashku me të janë arrestuar ish-hetuesja e krimeve të rënda, Eriona Dautaj, aktualisht studente në shkollën e Magjistraturës, si dhe biznesmeni Astrit Vladi e avokati Radovan Çela. Ndaj Zarkës rëndon akuza për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Arrestimet e sotme vijnë pas kontrolleve që hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë bërë më parë në ambientet e Prokurorisë së Vlorës dhe pas zbërthimit të bisedave në Sky ECC. Vetë Zarka rezulton se ka përdorur katër kode në komunikimet e bëra në këtë aplikacion, por gjithashtu është përmendur nga bisedat mes personave të tjerë. Sipas Weblajm, arrestimi lidhet me mos hetimin e dosjes së “Toyota Yaris” e cila nga Prokuroria e Krimeve të Rënda u transferua në Vlorë, duke patur parasysh dhe arrestimin e biznesmenit Vladi e të avokatit Radovan Çela që ka shërbyer si përfaqësues ligjor i kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi, të akuzuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, për krijimin e një organizate me qëllim pastrimin e parave me origjinë kriminale. Por kushërinjtë Vladi nuk u arrestuan asnjëherë nga policia. Astrit Vladi, biznesmen dhe aksioner i disa kompanive në Shqipëri, është vëllai i Elvis Vladit. Sipas regjistrit civil të vitit 1998, ai mund të ketë mbajtur më parë emrin Doxh Vladi. Dosja u denoncua nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha në Kuvend, i cili tha se Taulant Balla, tashmë ish-ministër i Brendshëm kishte dalë garant për futjen e parave në Shqipëri, përmes makinave “Toyota Yaris”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës.