
TIRANË- Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe djali i Flamur Rrajës është vënë në pranga pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Policia ka shkuar për të kontrolluar nëse ndodhej në banesë në zbatim të masës së sigurisë të caktuar ndaj tij, por nuk e kanë gjetur. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se gjithashtu është proceduar penalisht edhe babai i tij, Flamur Rraja, si edhe 26-vjeçari me iniciale E.T., pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit Ariel Rraja dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat. Ariel Rraja ishte lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pas dhunës që ushtroi kundrejt Kujtim Cacës bashkë me të atin. Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes Flamur Rrajës dhe Kujtim Cacës për një kanal që ndante dy pronat e tyre.