
TIRANË-Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarisht disa muaj më parë në Tiranë, kërkon lirimin nga burgu të Dritan Nanos, personit që u arrestua si i dyshuar për organizimin e sulmit ndaj tij. Në një kërkesë që ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, Mëngjesi është shprehur se nuk ka asnjë konflikt personal dhe penal me Nanon, ndërkohë që 3 prej dhunuesve të tij mbeten në kërkim. Mëngjesi u dhunua në 29 Maj, dhe kaloi disa javë në gjendje të rëndë për jetën në spital, por duket se pas përmirësimit shëndetësor, tashmë kërkon që të shuajë edhe konfliktin me Nanon. Dritan Nano dhe Dorian Alia, të cilët u vunë në pranga pas sulmit ndaj Mëngjesit, janë lënë nën masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundimin e hetimeve. Për dhunën ndaj avokatit Mëngjesi, vijojnë të jenë në kërkim tre autorët e tjerë, Drivald Alia, Romario Tabaku dhe Elton Kasaj, teksa policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për arrestimin e tyre.
/ZËRI